Sahiti-LDK: Angazhimi im si asambleist do të fokusohet në arsim cilësor, infrastrukturë moderne dhe shëndetësi të përballueshme

Prishtinë | 16 Sht 2025 | 07:35 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i LDK-së për asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit, Jahë Sahiti, tha se nëse i besohet mandati, angazhimi i tij do të fokusohet në tri shtylla kryesore.

“1. Arsim cilësor dhe modern – Investim në infrastrukturën shkollore, teknologji bashkëkohore dhe trajnime për mësimdhënësit, që fëmijët tanë të kenë një të ardhme më të ndritur.
2. Infrastrukturë efikase dhe të qëndrueshme – Rrjete rrugore të mirëmbajtura, transport publik funksional dhe planifikim urban të mençur që reflekton nevojat e qytetarëve.
3. Shëndetësi e përballueshme dhe cilësore, si dhe mirëqenie sociale – Përmirësim i qasjes në shërbime shëndetësore, mbështetje për shtresat në nevojë dhe politika sociale që nxisin barazi dhe dinjitet për të gjithë”, tha Sahiti për Ekonomia Online.

Ai shprehu zotimin për zbatim të mësimit tërëditor në të gjitha shkollat.

“Nëse e fitoj titullin e asamblistit në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të bëjë përpjekje maksimale që ta ngrehim cilësinë e arsimit. Njëra ndër mënyrat është mësimi tërëditor, duke falënderuar kryetarin e Komunës dhe bashkëpunëtorët e mëhershëm, zonjën Lushaku. Mendoj se mësimi tërëditor do të jetë prioritet në komunën e Prishtinës, duke e rregulluar infrastrukturën, me një ushqim të këndshëm dhe të nxehtë me profesionalizëm të profesorëve dhe trajnim të arsimtarëve për nivele të caktuara të mësimit dhe me sigurimin e nxënësve në shkolla”, u shpreh ai.

Sahiti tha se synon investime në shkolla, teknologji bashkëkohore dhe laboratorë digjitalë si dhe barazi në qasje për të gjithë fëmijët, pa dallim prej lagjes apo gjendjes ekonomike.

Ai përmendi gjithashtu zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional, duke veçuar organizimin e praktikës profesionale.

Tek flet për rrugën profesionale, Sahiti thotë se karriera e tij është e lidhur ngushtë me arsimin.

“Si qytetar i Prishtinës- këtu kam kryer shkollën e mesme, Fakultetin Filozofik, Filozofi-Sociologji, u bëra magjistër i shkencave juridike dhe doktor i shkencave juridike- kam afërsi të madhe me qytetarë. Shumica e qytetarëve të Prishtinës më njohin për kriteret e punës dhe për punën që e kam bërë deri tani. Dhe u kisha bërë një ftesë qytetarëve që të ma japin mundësinë dhe shansin dhe ju garantoj se për të gjitha shërbimet do t’ju ndihmoj për kryerjen e punëve të tyre, të cilat i kanë në Komunë se çdo qytetar bazën e kryesore e ka në Komunë”, tha Sahiti.

Ai kujtoi përvojën e gjatë si mësimdhënës dhe drejtues shkollor.

“Kam punuar në Medresenë ‘Alaudin’ në Prishtinë si bashkëpunëtor për dhënien e shkencave shoqërore. Pastaj kam qenë bashkëpunëtor i ngushtë në shkollën e mesme ‘Nikolla Teslla’ në Medvegjë. Atë punë e kemi kryer më tepër vullnetarisht. Kemi marrë pagesa, por vullneti dhe dëshira ishte për të ndihmuar banorët në komunën e Medvegjës me mësim nxënësve të tyre. Në Medvegjë kam punuar nga viti 1983 deri më 1990, kur u keqësuan marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë dhe pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut na u rëndua gjendja si mësimdhënës. Pastaj kam punuar në shkollën ‘Xhevdet Doda’. Gjashtë vjet me ditar, pastaj zëvendësdrejtor dhe prej vitit 1997 e deri më 13 qershor 2023 kam qenë drejtor i asaj shkolle”, tha Sahiti.

Të ngjashme