Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim zgjedhor në Klinë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, prezantoi kandidatin për kryetar të komunës, Arben Limanaj, si njeriun që do ta udhëheqë qytetin drejt zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Në një fjalim të gjatë para qytetarëve të mbledhur, Abdixhiku tha se Klina është qytet i punës dhe i traditës, por që, sipasj tij, ka mbetur pas nga një pushtet që ka harruar qytetarin.
“Klina është qytet që nuk njeh dorëzim, qytet që është ndërtuar mbi punën e ndershme të familjeve klinase. Por ajo nuk mund të mbetet peng i premtimeve të pambajtura. Qytetarët e Klinës meritojnë më shumë, meritojnë një qeverisje që i dëgjon dhe i shërben”, u shpreh Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se kandidati i tyre për Klinën, Arben Limanaj, është një emër i njohur për qytetarët, me përvojë të gjatë në Kuvendin Komunal dhe me angazhim të vazhdueshëm për të ngritur zërin e qytetarëve.
“Ai ka qenë aty, me ju. Ka folur kur të tjerët kanë heshtur. Ka kritikuar padrejtësitë dhe ka kërkuar transparencë. Sot ai vjen me një vizion të ri dhe me energjinë e një lideri të vendosur për ndryshim”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se programi i LDK-së për Klinën është i qartë dhe i bazuar në nevojat reale të qytetarëve.
“Në bujqësi, do të ketë subvencione të drejta, ndihmë për mekanizëm modern dhe kushte që produktet të shiten me dinjitet. Në arsim do të investohet në shkolla moderne dhe kushte më të mira për nxënësit e mësuesit. Në shëndetësi do të sigurojmë që klinasit të kenë shërbime cilësore afër vendbanimeve të tyre. Nuk mund të ketë më Klinë me infrastrukturë të izoluar dhe pa lidhje me qytetin. Ne do ta ndryshojmë këtë”, u zotua ai.
Abdixhiku theksoi se LDK do të ketë qasje të veçantë edhe për rininë, gratë dhe diasporën klinase.
“Të rinjtë do të kenë hapësira për të shprehur veten. Gratë do të fuqizohen ekonomikisht dhe do të mbështeten në iniciativat e tyre. Diaspora do të përfshihet në zhvillimin e qytetit, sepse ata janë pjesë e pandashme e Klinës”, tha ai.
Në fund, ai kërkoi përkrahjen e qytetarëve për Arben Limanajn si dhe për listën e LDK-së për Kuvendin Komunal.
“Zgjedhjet e 12 tetorit janë zgjedhje për të ardhmen e Klinës. Me Arben Limanajn, Klina fiton – fiton zhvillimin, fiton shpresën, fiton dinjitetin. Ai do të sjellë frymën e rugovizmit, të politikës së qetë, të mendjes së kthjellët dhe duarve të pastra. Votoni Arben Limanajn për kryetar. Votoni LDK-në për Klinën dhe për Kosovën”, përfundoi Abdixhiku.
Në tubim u prezantua edhe lista e kandidatëve për Kuvendin Komunal, të cilët u cilësuan si profesionistë e qytetarë të ndershëm, të gatshëm për t’i shërbyer qytetit.


