Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka përgëzuar Qeverinë e Shqipërisë Eid Ramën për hapjen e 28 kapitujve në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë proces ai e ka cilësuar edhe si një ëndërr historike të shqiptarëve për rikthim në familjen evropiane.
“Përgëzoj Qeverinë e Shqipërisë, dhe Kryeministrin Edi Rama në veçanti, për hapjen e 28 kapitujve në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shpresoj së shpejti të hapen edhe 5 kapitujt e mbetur dhe negociatat të përmbyllen në kohë rekord. I gjithë spektri politik në Shqipëri, pavarësisht dallimeve, ka përgjegjësi në kuadër të këtij procesi. Shpresoj të gjithë të tregojnë maturi politike dhe të kontribuojnë e të mbështesin pa asnjë rezervë këtë rrugëtim historik të Shqipërisë. Më 2029, në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, qytetarët e Shqipërisë votojnë krahas qytetarëve të vendeve të BE-së për deputetët shqiptarë në atë parlament. Pas hyrjes në NATO, kjo është arritja tjetër historike jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ëndrra historike e shqiptarëve për rikthim në familjen evropiane po realizohet hap pas hapi. Për kosovarët është tepër me rëndësi që kufiri i BE-së të jetë së shpejti në Vërmicë, e pastaj na mbetet neve që këtë kufi ta lëvizim më tutje në Merdare”, ka shkruar Hoti, raporton Ekonomia Online.