Në një stallë të një fshati në Suharekë, policia ka konfiskuar mbi 500 kilogram drogë të llojit marihuanë e që vlerësohet që vlera e saj të jetë rreth 750 mijë euro. Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur granata-hedhës dhe një pushkë gjuetie.
Megjithatë, nuk është arritur të kapet i dyshuari ndonëse i njëjti është i njohur për policinë, shkruan Ekonomia Online
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia Prizren, kanë trajtuar në aspektin policor një informacion. Në realizim të veprimeve operativo-hetimore në teren, është arritur që të lokalizohet një vend ku dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike. Kështu, dje me 16.09.2025, në një fshat të Suharekës, në një objekt (stallë), janë gjetur lëndë që dyshohet të jetë narkotike të llojit marihuanë në proces të tharjes (terjes). Në vendin e ngjarjes është ftuar edhe prokurori, kurse pos lëndës narkotike është gjetur edhe një granata-hedhës (mortajë dore) dhe një pushkë gjuetie. Pas peshimit të lëndëve narkotike ka rezultuar se pesha totale ishte 512 kg e 89 gr, vlerësohet se vlera e tregut është rreth 750 mijë euro. Në vend-ngjarje janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi relevante me rastin”, thuhet në komunikatën e policisë duke shtuar se “Lidhur me rastin një person i dyshuar, i njohur për policinë ndodhet në arrati”.

