Fuqitë evropiane me gjasë do t’i rivendosin sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit në fund të këtij muaji, pasi rundi më i ri i bisedimeve me Teheranin me qëllim të parandalimit të kësaj mase u vlerësua si joserioz, tha të enjten presidenti francez, Emmanuel Macron.
Britania, Franca dhe Gjermania, që njihen edhe si grupi E3, nisën një proces 30-ditor në fund të gushtit për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së. Ato caktuan kushte që duhej të plotësoheshin nga Irani gjatë shtatorit për t’i bindur që ta shtynin mekanizmin e rikthimit të sanksioneve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Oferta e tri fuqive evropiane për shtyrjen e rikthimit të sanksioneve për deri në gjashtë muaj për të mundësuar bisedime serioze u bë me kushtin që Irani t’ua rikthente qasjen inspektorëve bërthamorë të Kombeve të Bashkuara – të cilët gjithashtu do të kërkonin llogari për rezervat e mëdha iraniane të uraniumit të pasuruar – si dhe përfshirjen në bisedime me Shtetet e Bashkuara.
Kur u pyet në një intervistë në televizionin izraelit “Channel 12” nëse rikthimi i sanksioneve ndaj Iranit është çështje e kryer, presidenti francez tha: “Po. Mendoj se po, pasi lajmi më i ri nga iranianët nuk është serioz.”
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha më vonë të enjten se ai u kishte paraqitur “një plan të arsyeshëm dhe të zbatueshëm homologëve të grupit E3/EU për të shmangur një krizë të panevojshme dhe të shmangshme ditëve në vijim”.
Në një shkrim në rrjetin X, kryediplomati iranian tha se propozimi i vendit të tij “adreson shqetësime të sinqerta” dhe e përshkroi atë si fitimprurës në mënyrë reciproke, por nuk dha hollësi të mëtejme për përmbajtjen.
Ministrat e jashtëm të vendeve të grupit E3, kryediplomatja e Bashkimit Evropian dhe homologu i tyre iranian zhvilluan të mërkurën një bisedë telefonike, në të cilën diplomatët e të dyja palëve thanë se nuk pati progres substancial, ndonëse dora ishte ende e hapur për të bërë përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje para skadimit të afatit.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili ka 15 shtete anëtare, do të votojë të premten një rezolutë me të cilën Iranit do t’i hiqeshin në mënyrë të përhershme sanksionet e Kombeve të Bashkuara.
Gjasat janë që rezoluta të dështojë për ta marrë minimumin prej nëntë votash të nevojshme, thonë diplomatët, dhe edhe po t’i merrte këto vota, ajo do të bllokohej me veto nga Shtetet e Bashkuara, Britania ose Franca.