Bashkimi Evropian planifikon që ta ndalojë importin e gazit të lëngëzuar rus në territorin e bllokut një vit më herët sesa që ishte parashikuar si pjesë e pakos së 19-të të sanksioneve kundër Rusisë, thanë të premten burimet brenda BE-së, ndryshim që duket se është nxitur nga presioni prej presidentit amerikan, Donald Trump.
Komisioni Evropian, organ ekzekutiv i bllokut me 27 vende anëtare, do të propozojë që zbatimi i kësaj mase të fillojë nga 1 janari i vitit 2027, kur t’ua paraqesë pakon emisarëve të BE-së më vonë të premten, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përpos gazit të lëngëzuar, në shënjestër të masave të reja gjithashtu pritet të jenë flota në hije e anijeve transportuese ruse, kriptovalutat, bankat qendrore në Rusi dhe Azi, rafineritë kineze si dhe zonat ekonomike, boshllëk doganor i përdorur nga Moska për të importuar mallra me përdorim të dyfishtë për ushtrinë e saj.
Çfarëdo propozimi i Bashkimit Evropian për të hequr dorë nga energjia ruse më shpejt nuk do ta prekte Rusinë dhe nuk do ta detyronte që ta ndryshojë pozicionin e saj, tha të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Presidenti amerikan po i bën presion Evropës që të luajë rol më të fortë për ta arritur përfundimin e luftës në Ukrainë, duke kërkuar që të marrë një pjesë më të madhe të barrës për forcimin e ushtrisë ukrainase dhe të bëjë më shumë që t’ia zvogëlojë Rusisë të ardhurat nga shitja e lëndëve të energjisë.