Haxhiu: Rasti i grupit famëkeq “Albkings”, legalizim institucional i mosndëshkimit të dhunuesve

Prishtinë | 19 Sht 2025 | 21:26 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, reagoi në lidhje me rastin e grupit “Albkings”.

Postimi i plotë:

Nuk është hera e parë që drejtësia në Kosovë tregon fytyrën e saj patriarkale dhe të pandjeshme ndaj krimeve me bazë gjinore por marrëveshja në rastin e grupit famëkeq “Albkings”, është një legalizim institucional i mosndëshkimit të dhunuesve.
Prokuroria, në vend që të mbrojë viktimat dhe të dërgojë mesazhin e qartë se ngacmimi nuk tolerohet, ka zgjedhur rrugën e kompromisit me dhunuesit dhe poshtërimin e viktimave.
Grupi famëkeq “AlbKings” ishte një mekanizëm i organizuar i dhunës digjitale dhe seksuale, i cili për vite me radhë ka shkatërruar jetën e shumë vajzave dhe grave në Kosovë.
Me qindra imazhe të publikuara pa pëlqim, me përndjekje, kërcënime dhe shantazhe të vazhdueshme, ky grup ka lënë pas vetes trauma të thella, pasoja psikologjike, sociale dhe personale për viktimat.
I bashkohem thirrjes së organizatave të shoqërisë civile që kjo marrëveshje të refuzohet dhe të shqiptohen dënimet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Të ngjashme