Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë janë arrestuar dy pasagjerë nga Zvicra të cilëve gjatë kontrollit në trup të tyre janë gjetur telefonë.
“Më 20.09.2025, dy pasagjerë nga Zvicra (Zyrih), njëri shtetas i Kosovës dhe tjetri i Serbisë, janë ndaluar pas kalimit të kontrollit të pasaportave. Gjatë kontrollit në trupin e tyre janë gjetur të fshehur 10 telefona iPhone 17. Telefonat nuk ishin deklaruar dhe vlera e tyre në treg sillet rreth 10.000 – 11.000 euro”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Pasagjerët janë proceduar më tej nga autoritetet doganore dhe rasti është në trajtim sipas procedurave ligjore në fuqi.
Ndërsa tek një pasagjer nga Bazeli janë gjetur tre zarfe me mbi 36 mijë euro të padeklaruara.
“Po të njëjtën ditë, një pasagjer nga Bazeli është ndaluar në kontroll pas informatës së pranuar. Gjatë kontrollit në valixhe janë gjetur tre zarfe me gjithsej 36.450 euro të padeklaruara. Pasagjeri është shtetas i Kosovës dhe nuk kishte përmbushur detyrimin për deklarim të shumës. Të hollat janë numëruar në prani të policisë dhe doganës në hapësirat zyrtare”, thuhet në komunikatë duke shtuar se rasti është proceduar më tej nga autoritetet doganore.