Operacioni i madh i shtetit në Vushtrri, goditën Gërbeshtë e dyshuar për fajde

Prishtinë | 21 Sht 2025 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor mëngjesin e sotëm në tri lokacione në Vushtrri.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se janë kontrolluar dy lokacione në fshatin Ropicë të Vushtrrisë dhe një lokacion në qytetin e Vushtrrisë.

Sipas burimeve të Gazetës Nacionale, policia ka bastisur disa lokacione, pronë e anëtarëve të familjes Gërbeshi në Vushtrri.

Prokuroria ka bërë të ditur se deri më tani gjatë bastisjeve janë arrestuar katër persona.

“Nga ky operacion policor janë arrestuar tre (3) persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “Detyrimi”, si dhe një (1) person i cili ka qenë në arrati për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor“ dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”. Me vendim të prokurorit, katër (4) të pandehurit ndalohen për 48 orë, ndërkaq operacioni është duke vazhduar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Cila është historia e anëtarëve të familjes Gërbeshi në Vushtrri?

Gazeta Nacionale, kishte raportuar edhe më herët rreth problemeve që qytetarët kishin pasur me anëtarë të familjes Gërbeshi në Vushtrri.

Rasti më i njohur që kishte ndodhur gjatë këtij viti, ishte ai i Liridon Osmanit, i cili ishte sulmuar brutalisht më 20 maj të këtij viti, derisa ishte duke e dërguar vajzën e tij në kopsht në Vushtrri.

Vet Osmani për Gazetën Nacionale kishte deklaruar se kishte dyshime që sulmi erdhi nga anëtarë të familjes Gërbeshi shkaku i blerjes së një prone në Vushtrri.

Ai kishte deklaruar se para sulmit fizik, kishte pranuar disa telefonata kërcënuese nga anëtarë të familjes Gërbeshi dhe të njëjtit pretendonte se e kishin ndaluar edhe në rrugë. Për këto raste ai kishte njoftuar policinë në Vushtrri, por që nuk ishte ndërmarrë diçka për të parandaluar sulmin.

Sipas Osmanit, ai kishte pranuar telefonata nga Rrahman Gërbeshi, ndërsa Tahir Gërbeshi i kishte “prerë” rrugën me veturë, duke i shkaktuar kështu shqetësim. Krejt kjo, vetëm që Liridon Osmani mos të blente pronën në fjalë.

Policia kishte bërë të ditur që rasti ishte ende nën hetime dhe që sulmi kishte nododhur nga persona të panjohur dhe të maskuar.

Gjatë kësaj kohe që Osmani po kryente blerjen e pronës në fjalë, anëtarë të tjerë të familjes Gërbeshi po parkonin automjetet e tyre në atë pronë, për të treguar që Osmani nuk mund ta blente atë pronë, ani pse pronari i parcelës tashmë kishte vendosur që t’ia shiste Liridon Osmanit.

Personat që po parkonin veturat në parcelë, sipas Osmanit Ishin Agim, Albin, Ibrahim dhe Arianit Gërbeshi.

Megjithatë, Liridon Osmani kishte vazhduar procedurat për blerjen e pronës për të cilën ishte marrë vesh me pronarin e pronës në fjalë. Ai kishte thënë se me gjithë presionet nga anëtarët e familjes Gërbeshi, nuk do të tërhiqej nga blerja e pronës, përveçse nëse pronari i asaj parcele vendos ndryshe.

Më 13 qershor të këtij viti, bashkëshortja e Liridon Osmanit ishte përcjellur nga dy persona me motor përderisa ishte duke vozitur në automjetin e saj në qytetin e Vushtrrisë. Për këtë rast, ajo kishte njoftuar policinë dhe si pasojë ishte arrestuar Arianit Gërbeshi, si i dyshuar kryesor në këtë ngjarje.

Më 21 qershor, shtëpia e Liridon Osmanit ishte sulmuar me breshëri kallashnikovi nga një person i panjohur me motor katër-rrotësh. Policia kishte gjetur më vonë motorin e braktisur, por jo edhe personin që kreu sulmin.

Probleme të ngjashme Liridon Osmani kishte pasur me anëtarë të familjes Gërbeshi edhe më datë 6 gusht të këtij viti, kur kishte shkuar për të punuar në pronën e tij të cilën tashmë e kishte blerë dhe e kishte përkthyer në emrin e tij.

Aty kishte ardhur fillimisht Avdullah Gërbeshi, duke e paralajmëruar Osmanin me fjalët “don me na marrë në qafë, edhe veten edhe mu…”, ndërsa Fatmir Gërbeshi përmes një personi kishin telefonuar bagersitin për ta urdhëruar që ta ndalte punën.

Rasti kishte përfunduar sërish në polici, ndërsa Liridon Osmani kishte ndaluar përkohësisht punimet në pronë.

Më 4 shtator të këtij viti, Policia e Kosovës kishte arrestuar një pjesëtar të policisë, Murat Latifin, nën dyshimin se i njëjti iu kishte dhënë informacione të vazhdueshme anëtarëve të familjes Gërbeshi, të cilët kishin qenë të dyshuar nga policia për përfshirje në vepra të ndryshme kriminale.

Murat Latifi dyshohej se në një rast, kishte transportuar me veturën e tij personale një anëtar të familjes Gërbeshi i cili ishte në kërkim nga policia, duke ia mundësuar kështu arratisjen.

Më 5 shtator, Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës kishte arrestuar dy vëllezërit, Kreshnik dhe Krenar Maloku, që ishin familjarë të familjes Gërbeshi në Vushtrri.

Ata dyshoheshin për disa vepra penale, ndërsa njëri prej tyre ishte i dyshuar edhe për sulmin fizik që kishte ndodhur më 20 maj ndaj Liridon Osmanit.

Shumica prej anëtarëve të familjes Gërbeshi janë persona me precedent penal, ku në pronat e tyre ishin kryer edhe aksione të mëparshme nën dyshimet për veprat penale “Fajde”, “Detyrim” etj.

Të ngjashme