Aksion Antimafia në Itali e Shqipëri: Shkatërrohet grupi i narkotrafikantëve, i tradhtoi gjurma e gishtit

Prishtinë | 25 Sht 2025 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Një rrjet i gjerë i narkotrafikantësh është shkatërruar në një operacion të udhëhequr nga Drejtoria Anti-Mafia e Qarkut të Firencës në Itali.

Hetime zgjatën nga viti 2020-të e deri në vitin 2023, e kjo çoi edhe në lëshimin e 12 urdhërarresteve.

Arrestime ka pasur edhe në Shqipëri, për të cilën informacione ka dhënë edhe Policia e Shtetit, në aksionin e koduar si “Fingerprint” apo (Gjurma e gishtit).

Raportohet se në Portëz të Fierit, u arrestua njëri prej anëtarëve të grupit, i cili kërkohej në Itali, i njohur si Edi Hoxha, allias Edison Hoxha, 41 vjeçar.

Në mesin e të arrestuarve gjendet edhe një grua, derisa sipas hetimeve kjo organizatë kriminale që përbëhej nga tre celula, ku në krye të tyre qëndronin shqiptarët.

Operacioni u zhvillua njëkohësisht në 10 provinca italiane, me mbështetjen e mbi 100 efektivëve dhe njësive antidrogë.

Hetimi, i cili filloi në Mugello, zbuloi operacionet e tre grupeve të dallueshme kriminale me pasoja transnacionale.

Gjatë hetimit, u sekuestruan gjithsej rreth 2 kilogramë kokainë , 22 kilogramë marijuanë dhe gjysmë kilogrami hashash. Gjithashtu, katër persona të tjerë u arrestuan gjatë këtij operacioni.

Tre grupet dhe biznesi i tyre i paligjshëm

Sipas rindërtimeve të hetuesve, organizatat vepronin në fronte të shumëfishta:

-Një grup shtetasish shqiptarë specializoheshin në importimin e kokainës nga Holanda dhe më pas shpërndarjen e saj me shumicë në Itali.

-Një tjetër celulë kriminale ishte e përfshirë në eksportimin e kokainës nga Firence në Zvicër, ku ajo shiste me pakicë së bashku me hashashin dhe marihuanën. Trafikimi i drogës kryhej si në kantonin e Zyrihut ashtu edhe në disa provinca të Toskanës.

-Organizata e dytë, e lindur nga një degë e së parës, përbëhej tërësisht nga shqiptarë, përfshirë një grua, dhe menaxhonte importimin e sasive të mëdha të kanabisit nga Zvicra për tregun italian.

Operacioni rezultoi në arrestimin e 12 personave, njëri prej të cilëve ndodhej në Shqipëri falë një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar.

Arrestimet dhe kontrollet e mbetura u kryen në Firence dhe nëntë provinca të tjera italiane.

Të ngjashme