Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, reagoi ndaj akuzave ndaj tij, që siç u shpreh, po përtypen nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci.
Postimi i plotë:
Sulmet kundër meje të prodhuara në Kino Studio LVV tash e katër ditë nuk kanë të ndalur. Fillimisht janë publikuar në portalin e prodhimit të lajmeve të rrejshme “SpecBuk”, të cilat janë fshirë nga organizata që bëjnë verifikimin e lajmeve të rrejshme!
Dhe sot merren ato dhe përtypen nga Mefi. Dhe çfarë shpërndan Mefi?
Një propagandë të pastër.
Një video që është prodhuar në qershor të vitit 2023, ku në veri edhe më tutje kishte struktura paralele të Serbisë (para sulmit të Banjskë).
Ku kishte policë dhe gjyqtarë serbë që paguheshin nga Serbia. Ku edhe më tutje ish-polic dhe ish-gjyqtar paguhen nga Serbia dhe punojnë me ligjet e Serbisë nëpër shtëpi private.
Në këtë intervistë të gjatë, argumenti im është që dikur policët dhe gjyqtarët serbë kanë punuar me emblemën e shtetit të Kosovës, me flamurin e shtetit të Kosovës.
Deri sa atë ditë kur është dhënë kjo intervistë, më 16 qershor 2023, ishte gjendje tjetër.
Pra, fjala është për policë e gjyqtarë serbë dhe tendenca për ta përdredhur intervistën time është kriminale.
Krijimi i perceptimit të rrejshëm që unë iu kam referuar Policisë dhe gjyqtarëve të Kosovës është pavërtetë, gënjeshtër, është krim dhe është fyerje për mua.
Mbi të gjitha është thirrje për nxitjen e kërcënimeve ndaj meje.
Këta në mungesë të fakteve, në mungesë të argumenteve kundër meje, mundohen që përmes prodhimit të lajmeve të rrejshme të ma bëjnë gjyqin publik.
Ndërsa, në mungesë të rezultateve në qeverisje, po tentojnë që nxit kësi debatesh shterpe.
Edhe mos i merrni seriozisht ato me të cilat po përpiqen t’i konfuzojnë qytetarët këto ditë për shkak të zgjedhjeve.