Serbia po vazhdon ta përdor propagandën dhe skenarët e saj për destabilizim të Kosovës. Profesori Universitar Alban Zeneli dhe hulumtuesi i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuq Kuçi në intervistë për Ekonomia Online, kanë paralajmëruar forma të ndryshme përmes të cilave Serbia po tenton të bëjë presion për ndikim në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Profesori Universitar, Alban Zeneli, tha se janë vërejtur taktika të njohura politike të përdorura për polarizimin e shoqërisë, përfshirë edhe përdorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale. Këtë narrativë, Zeneli tha se e përdor Lista Serbe.
“Çfarë mundemi me thëne që është interesante në herat e fundit evidencat me anë të cilave mundemi me dëshmu që është përdorë edhe teknologjia e njohur inteligjenca artificiale. Janë kriju përmbajtje me anë të kësaj teknologjie me qëllim të mbështetjes politike të një kandidati kryesisht kandidatëve për kryetar komune, jo garës për asamble. Çfarë tjetër është e rëndësishme, kemi një vendim të Komisionit të Pavarur për Media me anë të cilit ndalohet gjuha e një spoti të Listës serbe në një media lokale në Kosovë. Një spot i cili e quante jetën e serbëve, jetë nën terror dhe si jetë me mungesë lirie, gjë të cilat përbënin sipas Komisionit të Pavarur të Mediave thirrje kundër kushtetuese dhe po ashtu shkelje të kodit etik. Kjo gjuhë dhe kjo narrativë që e përdor Lista Serbe padyshim është zgjatim i narratives që e përdor Qeveria e Serbisë kundër Kosovës duke tentuar me i paraqitë si viktima qytetarët serb të Kosovës të një sistemi që udhëhiqet në këtë rast nga Kryeministri Kurti”, tha ai.

Ai shtoi se audienca e komunitetit serb është e ekspozuar shumë ndaj mediave të kontrolluara nga Beogradi, ku dominon propaganda e Qeverisë së Serbisë.
“Audienca e komunitetit serb është ekspozu me shumë ndaj mediave në gjuhën serbe dhe mediave që janë të kontrolluara nga Vuçiqi. Nëse i shohim sistemet kabllore që shpërndajnë kanalet televizive në veriun e Kosovës nuk gjeni asnjë media opozitare të Vuçiqit që shpërndan sinjal në veri të Kosovës, por jo vetëm në veri por edhe në pjesë tjera ku jetojnë serbët. Kjo i bënë qytetarët serb të ekspozuar jashtëzakonisht shumë ndaj propagandës qeveritare të Serbisë. Mediat online, grupet e ndryshme edhe mediat sociale që dominohen prej TikTok-ut edhe Telegramit në rastin e komunitetit serb në Kosovë ku krijohen grupe me anë të cilave shpërndahen dezinformata që lidhen me zgjedhjet ose ngacmojnë nervin nacionalist të serbëve lokal në Kosovë”, tha ai.
Ndërkaq, hulumtuesi i Institutit Octopus, Gurakuq Kuçi, tha se Serbia ka ngritur mekanizma të ndryshëm për të ndikuar në Kosovë përmes skemave financiare, propagandës dhe kërcënimeve.
“Ne kemi identifikuar shumë çështje të cilat kanë të bëjnë me infiltrimin e Serbisë brenda Kosovës, ato janë çështja ku ata janë infiltruar nëpërmjet skemave të ndryshme, e para është skema financiare, e dyta është skema propaganduese dhe e treta është skema e cila ka të bëjë me kërcënime dhe shantazhe. Ku në kuadër të kërcënimeve dhe shantazheve hynë edhe linçimi shoqëror. Në kuadër të kërcënimeve financiare është çështja ku ata në sektorin shëndetësor dhe publik sa i përket arsimit i kanë kërcënuar për përjashtim nga vendi i punës nëse nuk angazhohet në zgjedhje për Listën Serbe. Në kuadër të çështjeve që kanë të bëjnë me skema financiare po ashtu është edhe dhënja e parave në emër të skemave sociale, ndërsa në formën e kërcënimeve dhe shantazheve janë duke vepruar në formën që e para duhet të votohet më patjetër Lista Serbe përndryshe mund të ketë ndonjë dhunë. Dhe e dyta duhet që të votohet Lista Serbe përndryshe nëse çdo votë shkon për dikë tjetër të jetë tradhtar pra një linçim shoqëror”, tha Kuçi.
Ai theksoi se kjo strategji po përdoret për të nxitur një lloj rezistence civile kundër institucioneve të Kosovës.
“Është duke u bërë një presion civil ku serbët janë duke u ngritur nëpërmjet nacionalizmit si një lloj rezistence ndaj qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Janë duke bërë një propagandë të fuqishme, ku e gjithë vota për Listën Serbe është votë për Serbinë, është votë për Vuçiqin dhe është rezistencë ndaj invazionit dhe dhunës që kishin po e bën Kosova. Në disa video kanë paraqitur se si mund të ndalet ky terror që është duke u bërë kundër serbëve edhe në Kosovë dhe në forma të tilla ka paraqitur Lista Serbe edhe mobilizimin e masave për votimin e tyre”, tha ai.
Kuçi shtoi se Serbia po përgatit skenarë të ndryshëm destabilizues për Kosovën.
“Ata vazhdimisht janë duke përgatitur skenarë të cilat e destabilizojnë Kosovën. Ne kemi parë rastin e dronëve, rastin e presionit të ndryshimeve diplomatike që bëjnë kundër Kosovës, propagandat e ndryshme në publik që shpërndahen kundër Kosovës dhe diplomacinë e tyre. Të gjitha këto janë për të krijuar një gjendje kaosi në veri të Kosovës dhe shtyrje përpara të serbëve që të bëjnë një lloj rezistence civile e cila do të krijonte një kaos dhe do të detyronte institucionet ndërkombëtare që të fusin masat e ndarjes sikur në vitin 1999”, tha Kuçi.

Në zgjedhjet komunale të 12 tetorit janë të certifikuara gjithsej 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve është 5,626, prej të cilëve 206 për kryetarë komunash dhe 5,420 për anëtarë të kuvendeve komunale.