Krasniqi: Rinia është forca që e mban gjallë PDK-në dhe që e çon përpara Kosovën

Prishtinë | 04 Tet 2025 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se PDK nuk e sheh rininë si dekor por si forcë vendimmarrëse. Ai teksa tregon se janë 237 të rinj nën moshën 30 vjeç nga kjo parti që ia mësyjnë kuvendeve komunale dhe për kryetar të komunave, theksoi se rinia është forca që e mbanë gjallë PDK-në.

Postimi i plotë:

Rinia është forca që e mban gjallë PDK-në – dhe që e çon përpara Kosovën!

Kënaqësi dhe krenari e madhe të qëndrosh përballë brezit të ri të PDK-së, djemve e vajzave që po i japin kuptim të ri politikës sonë.

Në këto zgjedhje, PDK garon me 237 të rinj nën moshën 30 vjeç për kuvendet komunale dhe për kryetarë të komunave. Kjo është dëshmia më e qartë se PDK është partia e rinisë, e energjisë dhe e shpresës.

PDK nuk e sheh rininë si dekor, por si forcë vendimmarrëse. Si përgjegjësi. Si të ardhme.

Prandaj, besimi në rini në PDK vazhdon brez pas brezi – sepse ndër ta janë kryetarët e ardhshëm të partisë, përfaqësuesit e popullit në Kuvend dhe liderët e institucioneve të shtetit. 

Koha është për ju.

Sepse kur rinia fiton – fiton Kosova.

Guxoni për të ëndërruar!

Të ngjashme