Vuçiq: Lobi shqiptar në Amerikë bëri gjithçka për ta parandaluar kandidaturën e Brnoviqit ambasador

Prishtinë | 06 Tet 2025 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq teksa komenton vendimin e administratës amerikane për ta tërhequr Marko Brnoviqin nga nominimi për ambasador në Beograd, tha se Lidhja e Tretë e Prizrenit e ka mposhtur kandidaturën e tij.

“Ata nuk mund ta duronin që ndikimi serb të forcohej. Lidhja e Tretë e Prizrenit na bëri dëmin më të madh në vitin 1946. E formuar në Nju Jork, ky lob është jashtëzakonisht i fortë, dhe në Brooklyn, Manhattan, në të gjithë Uashingtonin. Ata bënë gjithçka për ta parandaluar këtë të ndodhte. Ndikimi i Brnoviqit do të ishte i madh, jo vetëm në Beograd, por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi”, tha Vuçiç.

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi nominimin e Marko Brnović si ambasador në Serbi. Arsyet e tërheqjes së nominimit të Brnović nuk u deklaruan.

Në fund të marsit, Trump nominoi Brnovićin, një anëtar të Partisë Republikane dhe ish-prokuror shtetëror i Arizonës, si ambasador në Beograd. Edhe pse nominimi arriti shpejt në Komitetin e Senatit për Punë të Jashtme, Brnović nuk u paraqit para atij organi që konfirmon emërimet. SHBA-të nuk kanë pasur ambasador në Beograd që nga janari i këtij viti, kur Christopher Hill la atë pozicion pas kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Mark Brnović, një amerikan me origjinë serbe dhe ish-prokuror shtetëror i Arizonës, komentoi tërheqjen e kandidaturës së tij për Kurir.

Brnović deklaron në deklaratën e tij se para së gjithash dëshiron të falënderojë Trumpin për nominimin e tij si ambasador amerikan në Serbi.

“Por, ndërsa procesi u zvarrit, u bë e qartë se burokratët e shtetit të thellë nuk duan që askush me një sfond politik, etik dhe fetar si i imi të kryejë detyrat e ambasadorit në Serbi. Kur shikohet gjithçka, besoj se të jem afër familjes dhe miqve të mi në Arizona dhe të gjej mundësi për të luajtur një rol më të rëndësishëm në vend është rruga më e mirë për mua në këtë moment”, tha Brnović për Kurir.

Të ngjashme