Pas tërheqjes së kandidaturës së Mark Brnoviq për ambasador në Serbi, gjërat mes administratës amerikane dhe regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq kanë marrë një kthesë tjetër.
Sipas raportimeve të mediave serbe, vendimi i administratës së Donald Trump për të tërhequr kandidaturën e Brnoviqit nuk ka qenë i rastësishëm.
Burime të afërta me çështjen pretendojnë se arsyeja pas këtij vendimi ka të bëjë me dyshime serioze për përfshirjen e Brnoviqit në një skemë mit-marrjeje nga një kompani amerikane me lidhje të afërta me regjimin serb dhe vëllain e presidentit Vuçiq, Andrej Vuçiq.
Një tjetër incident që ka tronditur marrëdhëniet është përpjekja e presidentit Vuçiq për të marrë pjesë në një ngjarje për mbledhje fondesh për fushatën guvernatoriale në Florida, ku ishte i pranishëm edhe Donald Trump.
Sipas burimeve të ]mediumit serb “SrbinInfo”, Vuçiq përdori një identitet të rremë dhe biletë të blerë për të hyrë në event. Pas zbulimit, ai u përjashtua nga ngjarja, dhe menjëherë më pas, mediat pro-qeveritare në Serbi shpërndanë lajme dramatike për gjendjen e tij shëndetësore, duke pretenduar se ishte “i rrezikuar”, gjë që u interpretua nga analistët si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga skandali.
Por kjo nuk është gjithçka.
Burime të sigurta të këtij mediumi, zbulojnë se Vuçiq mund të ketë kryer një “gabim të pafalshëm” në sytë e Shteteve të Bashkuara kur lejoi lirimin nga paraburgimi të dy shtetasve të akuzuar për spiunazh – kinezit Cuij Guanghai dhe britanikut John Miller – të arrestuar më 24 prill 2025 në Beograd mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga SHBA.
Në mënyrë të pazakontë dhe të dyshimtë, një muaj pas arrestimit, Gjykata e Lartë në Beograd vendosi të zëvendësojë paraburgimin e tyre me arrest shtëpie.
Pas këtij vendimi, të dy spiunët u zhdukën dhe tek pas 11 ditësh autoritetet serbe lëshuan urdhër-arrest për ta.
Dokumente të publikuara në rrjetet sociale sugjerojnë se vendimi për lirimin e tyre ka ardhur si rezultat i presionit politik nga figura të afërta me Vuçiqin, përfshirë kryetarin e Gjykatës së Lartë, Dragan Milosheviq, dhe prokurorin Miograd Markoviq – i cili vepron nën drejtimin e Nenad Stefanoviqit, një figurë e konsideruar si “i bindur” ndaj Vuçiqit.
Avokati i të dyshuarve ishte Goran Petronijeviq, një emër i njohur në qarqet politike dhe juridike në Serbi, i cili po ashtu është avokat i terroristit Millan Radoiçiq.
Pas tërheqjes së kandidaturës së Brnoviqit, presidenti serb Vuçiq reagoi publikisht në një emision televiziv “Hit Tvit”, duke hedhur akuza të rënda ndaj administratës së ish-presidentit Trump dhe “lobit shqiptar në SHBA”.
“Nuk mundën ta durojnë që ndikimi serb të forcohet”, tha Vuçiq, duke pretenduar se Brnoviq ishte viktimë e një lobi të fuqishëm shqiptar që nuk dëshiron afrimin mes Serbisë dhe Amerikës.
Vuçiq e përshkroi Brnoviqin si “njeri të ndershëm dhe të aftë” që do të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në Serbi por edhe në rajon, duke përfshirë Bosnjën dhe Malin e Zi.
Ai e cilësoi tërheqjen e kandidaturës si një sinjal i qartë se SHBA nuk është e interesuar për përfaqësim më të ngushtë në Beograd nëse ky përfaqësim nuk përputhet me interesat e tyre politike.