Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar një takim me banorët e Bardhit të Madh, ku ka prezantuar programin qeverisës dhe ekipin e kandidatëve të kësaj zone për Asamblenë Komunale.
Në një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse, Osmani ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e sinqertë dhe entuziazmin që kanë treguar gjatë takimit.
“Na priti një mikpritje e ngrohtë dhe përkrahje e sinqertë, për të cilat shprehim mirënjohjen tonë të thellë. Së bashku do të punojmë për projektet e ardhshme, që garantojnë mirëqenie dhe zhvillim për të gjithë, pa përjashtim,” – u shpreh Besnik Osmani.
Ai theksoi se prioriteti i tij do të jetë përfshirja e çdo vendbanimi në hartën zhvillimore të komunës, duke garantuar që asnjë lagje apo fshat të mos mbetet prapa.
“Çdo vendbanim është dhe do të mbetet në qendër të vëmendjes sonë – dhe shumë investime të rëndësishme na presin në mandatin e parë qeverisës,” – shtoi Osmani.
Takimi në Bardh të Madh është pjesë e një serie vizitash që kandidati i LDK-së po zhvillon në të gjitha zonat e Fushë Kosovës, me synim ndërtimin e një platforme të fortë bashkëpunimi me qytetarët dhe adresimin e drejtpërdrejtë të nevojave të tyre.