30-vjeçari Elvis Shkambi, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja me armë brenda sallës së gjyqit në Tiranë kishte dalë i qetë në oborrin e kësaj gjykate dhe e ka pritur policinë.
Siç shihet nga pamjet ekskluzive për JOQ, kamera e sigurisë ka kapur momentin kur vrasësi, bashkë me xhaxhain e tij, qëndrojnë si dy qytetarë shembullorë në pritje të… rendit, transmeton Klankosova.tv.
“Hajdeni, unë jam vrasësi!” , iu thotë ai policëve.
Uniformat blu më pas janë futur brenda për ta kapur autorin dhe kanë thirrur përforcime nga jashtë Gjykatës.
Gjyqtari Kalaja nuk arriti t’iu bënte ballë plagëve të marra gjatë rastit të rëndë që ndodhi të hënën pasi raportohet se mbi të ishte shtënë tre herë me armë, derisa dy persona të tjerë, babë e bir, janë plagosur.
Policia në Tiranë ka dhënë detajet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në moshën 60 vjeçare në Tiranë. Aty tregohet se si i dyshuari kaloi nëpër detektor me armë, dhe roja qëndronte ulur në karrigen e tij. Gjithçka thuhet të jetë vërtetuar nga pamjet e kamerave.
“Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës”, thuhet mes tjerash.