Ndalja e rrymës shtyen seancën në rastin e 400 kilogramëve kokainë

Prishtinë | 23 Tet 2025 | 10:17 | Nga Gzim Mujaj

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve në rastin e 400 kilogramëve drogë është shtyrë për 20 minuta, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike në Gjykatën Themelore të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arni, ka njoftuar se vonesa në nisjen e seancës është shkaktuar fillimisht nga sjellja e të pandehurve dhe më pas nga problemet me energjinë elektrike.

“Jemi me 30 minuta vonesë, për shkak të sjelljes së të pandehurve nga stacioni policor jugu. Vonesë që është jashtë objektivave tona. Ndërsa tash po e shihni se kemi probleme me energjinë elektrike. Megjithatë, jemi në pritje të informacioneve nga institucionet përkatëse. Po e bëjmë një pauzë rreth 20 minuta, në orën 10:25 kthehemi dhe, varësisht nga mundësitë objektive që kemi, vazhdojmë,” ka deklaruar Arni.

Në këtë rast, të akuzuar janë Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi. Prokuroria i akuzon ata se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por në këto produkte ishin vendosur substanca narkotike.

Në këtë seancë pritet të japë dëshminë e tij Izet Sheqiri, pronar i kompanisë “MC FOOD”.

Pesë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë nga Prokuroria, ndërsa Izet Sheqiri kishte deklaruar se ndihet fajtor vetëm për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në bashkëpunim me persona nga Brazili, përmes kompanisë “MC FOOD”, kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, në brendi të të cilave ishte vendosur substancë narkotike të llojit kokainë.

Kjo sasi prej 400 kilogramësh kokainë ishte gjetur më 17 maj 2021.

Të ngjashme