Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tani zyrtar në LDK Berat Rukiqi ka kritikuar ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati për diskutimet që ka thirru për gjoja rritje të pagës minimale.
Rukqi thotë se kjo po bëhet për qëllime politike, dhe që ai në cilësinë e ministrit tenton ta kontrabandojë pagën minimale.
“Hekurani, për katër vite rresht, nuk ka konsultuar asnjë biznes dhe asnjë shoqatë biznesi për asnjë ligj apo vendim që ka ndikuar sektorin privat. Ka vepruar krye në vete, duke nxjerrë udhëzime administrative dhe ligje të dëmshme për bizneset, pa asnjë dialog apo transparencë. Sot, për qëllime të pastra politike dhe elektorale, i ka ftuar për takim, në cilësinë e “ministrit” me karrige të uzurpuar, në tentativë për kontrabandim të pagës minimale”, ka shkruar Rukiqi.
Rukiqi u ka bërë thirrje organizatave të bizneseve që mos të bien pre sic e quan ai maskaradë të radhës.
“Ftoj organizatat e biznesit të mos bëhen pjesë e kësaj maskarade të radhës, të orkestruar nga një ish-ministër që ka qenë armik i hapur i sektorit privat gjatë gjithë mandatit të tij”, ka shkruar Rukiqi.
Gjatë ditës së sotme, duke filluar në ora 10:00, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka mbajtur një takim rreth çështjes së rritjes së pagës minimale.