Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shfuqizuar vendimin Nr. 3143-5/21, i cili kishte shkaktuar pasoja serioze për sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit në Kosovë.
Shoqata e Gurthyesve të Kosovës dhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) e kanë mirëpritur këtë vendim, duke e cilësuar si një hap të madh drejt normalizimit të kushteve të punës dhe mbështetjes së prodhuesve vendorë.
Sipas LBK-së, vendimi i mëparshëm kishte penguar aktivitetin e kompanive të licencuara, kishte shtyrë ndërmarrje drejt falimentimit dhe kishte rritur importet nga Serbia.
Shoqata e Gurthyesve dhe LBK paralajmërojnë takime me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) dhe Agjencionin e Pylltarisë për të adresuar sfidat e mbetura dhe për të lehtësuar të bërit biznes në sektorin minerar.
“Ky është një mesazh i qartë se zëri i bizneseve tona dëgjohet kur është i argumentuar, i bashkuar dhe i qëndrueshëm”, thuhet në reagimin e LBK-së.
