Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, diplomati amerikan, Christopher Hill tha se në takimin me Hashim Thaçin nuk e ka ndjerë veten se ishte në praninë e një vrasësi.
Sipas Prokurorisë, dëshmitari kishte thënë për mbrojtjen se në takim ishte një person që kishte reputacion që ishte i përfshirë në të shtëna me armë.
Por, për personin që kishte deklaruar më herët se donte të hynte në takim me armë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se ka thënë që ai njihej si “një person që shtinte me armë”.
“Personi që donte të hynte në takim së bashku me armën, nuk dukej si një person i nivelit të lartë në hierarki. Por, mund të shihej se ai nuk ishte thjesht një trupojë-një roje, por nuk kishte askush tjetër armë brenda shtëpisë. Nuk më kujtohet ta kem thënë se ky person njihej për gjeste të tilla. Nuk jam shumë i qartë me këtë citim”, tha Hill.
Prokurori James Pace e pyeti dëshmitarin më pas se a qëndron ajo që ka thënë se kur ishte takuar me Thaçin nuk ishte ndjerë sikur ishte në praninë e një vrasësi. Ndërsa, nga një gabim në transkript, thuhej se dëshmitari ka thënë të kundërtën e që u kërkua sqarim nga ana e tij.
“Kam thënë që nuk isha, përgjigje negative”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tregoi se në takim kanë qenë një person, Jakup Krasniqi dhe Thaçi përveç ndërkombëtarëve.
Pas kësaj, Hill tha se Jakup Krasniqi njihej si zëdhënësi i UÇK-së.
Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se kishte opinione të vlefshme për pozitën e Rexhep Selimit në UÇK.
Ndërsa, duke folur për takimin në Likoc që kishte ndodhur më 29 korrik 1998, Hill tha se menduan që Selimi do kishte pozicionin që të jepte përgjigje për propozimin e tyre për një grup negociator me Serbinë.
Kurse, Hill tha se kur nuk morën përgjigje nga Selimi, kuptuan që përfaqësonte opinione të Grupit të Drenicës, të cilit edhe i takonte.
“Ne kuptuam se Selimi do të ishte në pozicion që të na jepte përgjigje. Por, në fakt ishte nga Grupi i Drenicës. Në situatën kur nuk morëm përgjigje, atëherë ne menduam se ai thjesht po përfaqësonte disa opinione të Grupit të Drenicës”, tha Hill.
Dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse Sylejman Selimi, Bislim Zyrapi dhe Sami Lushtaku ishin në këtë takim në Likoc. Madje, për Zyrapin tha se nuk i kujtohet si emër se kush ishte.
Në takimin në Likoc, dëshmitari tha se ka pasur edhe persona të tjerë por që nuk i kujtohet të ketë folur me ata përveç se me Rexhep Selimin.
Dëshmitari tha se me Thaçin nuk është takuar më përpara takimit në Dragobil. Por, ai shtoi se emri i tij përmendej si dikush me të cilin ai duhej të takohej.
Avokati Geoffrey Roberts i cili përfaqëson Rexhep Selimin, ka kundërshtuar linjën e pyetjeve të Prokurorisë për dëshmitarin Christopher Hill, lidhur me bisedat që janë zhvilluar në një takim që ka ndodhur në Likoc në mes UÇK-së dhe ndërkombëtarëve.
Hill tregoi se në takimin në Likoc që ka pasur me UÇK-në i pranishëm ishte edhe Rexhep Selimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Mbaj mend që ishte personi që na priti. Por, nuk mbaj mend ndonjë mirëpritje”, tha Hill.
Si rrjedhojë, pasoi kundërshtimi i Roberts duke thënë se kjo pjesë e bisedës në këtë takim nuk është përfshirë në dosjen gjyqësore të Prokurorisë.
“Ne, para se të fillonim me paraqitjen e provave tona, kishim shqetësim se mos Prokuroria do të përpiqej që të nxirrte prova të reja që ne mendojmë që nuk është momenti sepse Prokuroria i mbylli provat e veta. I vetmi pretendim lidhur me zotin Selimi në këtë takim është në paragrafin 270 të dosjes së Prokurorisë ku thuhet se gjatë periudhës së aktakuzës janë mbajtur takime në Likoc në mes anëtarëve të UÇK-së dhe ndërkombëtarëve sikurse kane qenë të pranishëm zoti Thaçi, zoti Krasniqi, zoti Selimi dhe Sylejman Selimi. Pra, nuk po diskutojmë se a është bërë një takim, por formulimi a po se çfarë ka thënë zoti Selimi në atë takim dhe se çfarë beson ky dëshmitar lidhur me atë që ka nënkuptuar Selimi duhej të ishte specifikuar konkretisht nga Prokuroria në dosjen e tyre gjyqësore”, tha Roberts.
Ai tha se për të bërë pyetje se çfarë ka thënë Selimi në atë takim, do duhej të mbështetej në dosjen gjyqësore. Sipas tyre, nuk është momenti që të nxjerren dëshmi të reja.
Mbase duan të mbështeten në atë se çfarë ka thënë në atë takim zoti Selimi, do të duhej ta mbështesnin në dosjen gjyqësore të cilën nuk e bën dhe nuk është momenti që ata të nxjerrin dëshmi të reja.
Prokurori James Pace tha se ky është një takim që e ka përmendur dëshmitari dhe ka folur gjërë e gjatë në dëshminë e tij.
Pace tha se dëshmitari ka treguar se ka komunikuar me Rexhep Selimin gjatë këtij takimi në Likoc. Ai shtoi se kjo është në fushëveprimin e pyetjeve të Prokurorisë. Si rrjedhojë, ai tha se është e drejtë e tyre që të bëjnë pyetje përtejë fushëveprimit të tyre por që vërtetojnë argumentet e tyre.
Si rrjedhojë, trupi gjykues e rrëzoi kundërshtimin e Roberts duke i lejuar Prokurorisë të vazhdojë me pyetjet e tij.