Një 58 vjeçar ka vdekur derisa bashkëshortja e tij ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e një aksidenti në fshatin Dobërdelan të Suharekës.
Në aksident ishin të përfshirë një automjet dhe një kamion.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se e lënduara është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
“Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion. Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, ka treguar ai.
Ai tha se janë duke u trajtuar gjithë rrethanat që kanë cuar deri te aksidenti, por që ka bërë thirrje edhe që të bëhet kujdes në trafik e të respetkohen rregullat e komunikacionit.
“Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore përkatëse, të cilat kanë siguruar perimetrin, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ndodhja e aksidentit. Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve”, deklaroi ai