Në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Istog në seancën e enjtes në gjykimin ndaj Shërbim Berishës i cili akuzohet për fajde, i dëmtuari/dëshmitari Rifat Jasiq tha se nga i akuzuari Berisha kishte marrë 15 mijë euro borxh me fajde, për t’ua kthyer borxhin e fajdesë personave tjerë.
Në këtë rast akuzohen për fajde po akuzohen edhe Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi dhe Isuf Thaqie, por procedura është veçuar për Berishën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas procesverbalit të seancës së të enjtes, i dëmtuari Jasiq deklaroi se të akuzuarin Berisha e njeh ngase kur kishte pasur (Jasiqi) një restorant më 2016 i njëjti kishte shkuar aty si klient dhe me të ka pasur marrëdhënie shoqërore.
Sipas tij, në vitin 2015-2016 i ka marë 15 mijë euro nga Berisha, me arsyetimin se ka qenë në situatë të vështirë sepse kishte marrë para me fajde edhe nga persona të tjerë. Tha se për t’ua paguar fajdenë personave tjerë, ka kërkuar nga i akuzuari këtë shumë parash me fajde dhe e ka marrë në zyrën e bisnesit të tij.
“Për këtë shumë të parave, i pandehuri është pajtuar që të m’i japë me 5% në muaj, që i ka rënë 750 euro në muaj kësti”, citohet se deklaroi Jasiq.
Për këtë shumë, theksohet që Jasiq ka thënë se ka paguar 11 mijë e 250 euro.
Gjithnjë sipas procesverbalit, i dëmtuari ka thënë se ka pasur raste kur nuk e pagoi këstin me rregull, por që i akuzuari nuk e kishte kërcënuar. Por, sipas tij, ku ka qenë ky i arrestuar, i akuzuari kishte shkuar tek shtëpia e u kishte thënë fëmijëve ta thërrasin nënën e tyre për ta pyetur edhe sa para i ka mbetur borxh Jasiqi.
Ai theksoi se i ka mbajtur shënim në fletore të gjitha detajet e pagesës, ashtu sipas tij, veproi edhe në rastet e tjera.
Shumat e pagesave periodike, Jasiq ka thënë se i ka bërë në emër të fajdesë, kurse borxhin kryesor prej 15 mijë euro, nuk ka arritur t’ia kthejë Berishës.
Në procesverbal thuhet se Jasiq deklaroi që të akuzuarin Berisha e njeh nga viti 2014.
I pyetur nga vetë i akuzuari Berisha, Jasiq ka thënë se nuk i kujtohet t’ia ketë kërkuar 15 mijë eurot për t’i vendosur xhamat në lokal, por tha se i kishte thënë se po i duhen e që tani i pandehuri ishte pajtuar t’ia gjejë me 5%. Tha se i kërkoi paratë për t’ua paguar borxhet e fajdesë personave tjerë.
“Shërbimit nuk ia kam kërkuar këtë arsye sepse nuk kemi pasur bisedë, mirëpo Shërbimi ka pasur besim në mua ngase ka pyetur tek persona tjerë dhe për këtë arsye mi ka dhënë këto para”, citohet se tha Jasiq.
Gjykatësi Petrit Nrecaj tha se dëshmitë e dëshmitareve V.K., dhe K.R., konsiderohen jorelevante dhe të pambështetshme në raport me të akuzuarin Berisha, andaj shpallen si prova të papranueshme.
Berisha në këtë seancë është sjellë nga Njësiti për Transportin e të Paraburgosurve nga Qendra e Paraburgimit në Pejë. Ndaj tij, Gjykata kishte caktuar paraburgimin për shkak të mosprezencës dhe mosarsyetimit të mungesës së seancat e kaluara.
Aty thuhet se ndaj vendimit të Themelores për paraburgim, mbrojtja kishte ushtruar ankesë në Apel, por që kjo e fundit e ka refuzuar.
Në seancë mungoi përfaqësuesja e të dëmtuarit, avokatja Xhevahire Klopner, e cila ka qenë e ftuar me rregull, por ka deklaruar se nuk mund të marrë pjesë në seancë, për arsye personale.
Kurse, sipas procesverbalit, dëshmitari Sh.J., ka qenë i ftuar në rregull, por e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm sepse jeton jashtë vendit dhe nuk mund të vijë në Kosovë. Gjykata vendosi që deklarata e tij të konsiderohet e lexuar.
Ndërkaq, për dëshmitaret V.K., dhe K.R., Gjykata nuk kishte prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt.
Në fund, pas kërkesës së mbrojtjes për ndërprerje të masës së paraburgimit, gjykatësi tha se për sigurinë e të pandehurit në procedurë, do të veprohet varësisht vendosjes sa i përket masës së paraburgimit.
Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.
Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale dhe i njëjti është dënuar me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për “Fajde”. Ai po ashtu obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në afat prej 30 ditësh t’ia kompensojë të dëmtuarit Jasiq 16 mijë e 650 euro.
Kurse, për të akuzuarin Shërbim Berisha pocedura është veçuar më 28 tetor 2025.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.
Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.
I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10% në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.
I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.
I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15% kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.
I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.
I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i dha të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.
I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.
I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.
Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës.