Eksportet, bizneset dhe kriza institucionale, temat qendrore të raportit të Riinvestit 2025

Prishtinë | 20 Nën 2025 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të Forumit Ekonomik Vjetor 2025, Instituti Riinvest prezanton raportin më të ri studimor, i cili sjell një analizë të thelluar mbi trendet, sfidat dhe perspektivën e ekonomisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Raporti i këtij viti fokusohet në tri fusha kyçe që e formësojnë ecurinë ekonomike dhe drejtimin e politikave për vitin e ardhshëm. Raporti analizon zhvillimet aktuale, arsyet e ngadalësimit të rritjes, sfidat strukturore, pritjet për vitin vijues dhe efektivitetin e politikave ekonomike.

Drejtori Ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani shpjegoi për përmbajtjen e raportit.

“Raporti i cili e shoqëron forumin i ka tri shtylla kryesore, dy të parat janë të njëjta ndërsa e treta ndryshon çdo vit. Kapitulli i parë i raportit vetëm bënë lehtësi të përcjelljes dhe trajton zhvillimet ekonomike dhe analizon trendet në kontekstin rajonal e global por edhe në Kosovë. Kapitulli i dytë trajton mjedisin biznesor i cili bazohet ekskluzivisht në të dhëna parësore për siguri të këtij raporti dhe sfidat që përballen bizneset në ekonominë e vendit dhe ende vijojnë problemet me migrime dhe kosto të lartë të energjisë. Raporti nxerr në pah se mungesa e stabilitetit institucional ka ndiku ndjeshëm në besimin e bizneseve”, tha Hashani.

Përmes të dhënave të përditësuara, theksohet se rritja ekonomike po sfidohet gjithnjë e më shumë nga pasiguritë globale, por edhe nga një mjedis i brendshëm kompleks dhe institucionalisht i paqëndrueshëm.

Carole Megevand, Udhëheqëse e Bankës Botërore në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut foli për zhvillimin e Kosovës.

‘Kosova është një vend shumë i ri. Ne vazhdojmë të përmendim popullsinë e re, por mendoj se duhet të kujtojmë edhe historinë e re të Kosovës. Vetëm 25 vjet pas luftës, dhe nëse shikojmë prapa, mendoj se mund të shohim një trajektore të jashtëzakonshme. Në Bankë jemi shumë krenarë që kemi mundur ta shoqërojmë Kosovën që pas luftës, duke filluar me rindërtimin e zakonshëm, por shumë shpejt duke u zgjeruar në sektorë të ndryshëm dhe duke ndërtuar disa themele për zhvillim. Ju e përmendët shpesh rëndësinë e institucioneve dhe mendoj se kemi tentuar gjithashtu të ndërtojmë kapacitetet dhe institucionet, dhe kështu, 25 vjet më vonë, mund të shohim se ka pasur një trajektore të jashtëzakonshme. Kështu që thjesht doja të filloja me këtë. Ka edhe disa elemente që mund t’i keni përfshirë”, tha ajo.

Gjithashtu, Instituti Riinvest për herë të pare ka përgatitur një parashikim të vetin makroekonomik, duke ofruar vlerësime të pavarura dhe të bazuara në të dhënat më të reja për rritjen ekonomike në vitet 2025 dhe 2026.

Kjo pjesë vlerëson gjendjen e bizneseve, trendet e reja dhe barrierat me të cilat ato përballen: kostot e rritura, sfidat në burimet njerëzore, energjinë dhe financimin. Gjetjet tregojnë një mjedis biznesor të ngarkuar me pasiguri dhe presione të reja, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmëri. Si tema qendrore e këtij viti, raporti analizon në detaje vëllimin, strukturën dhe efikasitetin e eksporteve, pozicionimin e ndërmarrjeve në tregjet ndërkombëtare dhe pengesat për zgjerim.

Raporti paraqet rekomandime konkrete për politika që nxisin eksportet dhe mbështesin sektorët me potencial të lartë.

Të ngjashme