Arben Gashi tregon kontributin e tij për formimin e Ushtrisë së Kosovës

Prishtinë | 23 Nën 2025 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka treguar disa nga ngjarjet dhe kontributin e tij në formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ai ka treguar se qysh LDK-ja ishte kundër vendeve të rezervuara në Kuvend në këmbim që të bëhet ndryshimet kushtetuese për ushtrinë.

Gashi ka thënë se as atë kohë LDK-ja nuk e ka kundërshtuar ushtrinë.

Kjo deklaratë e tij vjen pas deklarimit të Isa Mustafës së Ramush Haradinaj ishte ai që bëri ushtrinë.

Postimi i tij:

Me shkas.

Para pak ditësh pashë një deklaratë të ish-Kryeministrit Isa Mustafa, i cili përgëzonte ish-Kryeministrin Ramush Haradinajn për formimin e Ushtrisë së Kosovës me ligj. U bashkova edhe unë me këtë përgëzim. Por bashkë me të u kthyen disa prej momenteve më të rënda të karrierës sime politike, ato që t’i sjell vetëm barra e përgjegjësisë dhe koha që ka kaluar.

Për shumë arsye konfidencialiteti s’po hyj në detaje të mbyllura. Por po ndaj vetëm atë që është e njohur publikisht.

2013 – presioni për vendet e rezervuara

Negociatat me Serbinë ishin në pikën më të ndjeshme. Të gjitha partitë politike shqiptare ishin pajtuar që vendet e rezervuara të ktheheshin në Kushtetutë.

E vetmja që kundërshtonte ishte LDK.

VV atëkohë ishte jashtë procesit.

Takimi i parë – në rezidencën e një ambasadori të QUINT-it

Nga LDK ishin: Isa Mustafa, Ismet Beqiri, unë si Kryetar i Komisionit për Legjislacion, dhe Edon Myftari për përkthim.

Kërkesa ishte e drejtpërdrejtë:

LDK duhej të ishte “pro”.

Kur m’u kërkua mendimi, e thashë hapur:

“Jam kundër. Do të votoj kundër. Dhe do t’i lus edhe të tjerët të votojnë kundër.”

Debati zgjati gjatë, por qëndrimi im nuk ndryshoi.

Pas takimit, Kryesia e LDK-së mori vendimin final:

LDK nuk e përkrah ndryshimin kushtetues.

Takimi i dytë – po aty

Të pranishëm: ambasadorët e QUINT-it, BE-ja dhe përfaqësuesit e të gjitha partive (përveç VV-së).

Nga LDK: unë, Ismet Beqiri dhe Vjosa Osmani.

Atmosfera ishte më e rëndë, debati më i ashpër – tash jo vetëm me ndërkombëtarët, por edhe mes vetë partive shqiptare.

Sërish: vendimi i LDK-së nuk ndryshoi.

Mes dy takimeve – propozimi që e refuzova menjëherë

Për korrektësi: ambasadori nikoqir erdhi në zyrën time në Kuvend dhe më propozoi një “zgjidhje praktike”:

– LDK pranon kthimin e vendeve të rezervuara;

– në këmbim, sigurohen votat e deputetëve serbë për ndryshimet kushtetuese për ushtrinë.

E refuzova pa asnjë dilemë.

Ne besonim – dhe vendosëm si LDK – se ushtria mund të formohej me ligj.

Dhe rezultoi se kishim të drejtë.

Çfarë rrezikohej?

10 ulëse të garantuara për serbët;

  • 10–15 mandate shtesë nga lista serbe pas hyrjes në zgjedhjet e 2014-s
    (votat nga Serbia me postë + votat Serbe lokale).

Pra, synoheshin mbi 20 mandate serbe në Kuvendin e Kosovës.

Një rrezik real për stabilitetin e shtetit.

Dhe për këtë arsye, akuzat se LDK “paska kundërshtuar ushtrinë” ishin të padrejta – sepse ushtria u formua pikërisht ashtu si ne e mbrojtëm: me ligj, pa kompromis kushtetues që dëmtonte vendin.

Sot

Ushtria ekziston.

Po rritet.

Po profesionalizohet.

Po bëhet më e fortë çdo ditë.

Bravo secilit që ka kontribuar në këtë proces.

Kosova ka ushtrinë që e ka merituar – pa pazar politik dhe pa cenuar stabilitetin e saj kushtetues.

Të ngjashme