Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është lexuar deklarata e Shaban Murselit, babait të Naimit, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt që e kishte dhënë me 12 dhjetor të 2023-ës, raporton Ekonomia Online.
Gjatë leximit të kësaj deklarate nga gjyqtarja Fatime Dërmaku, teksa pyetet babai i Naimit, se a ka ndonjë dyshim se çfarë kishte ndodhur, ai kishte thënë:
“As nuk e di, as nuk e kam ndonjë dyshim se çka ka mundur të ndodhë në këtë rast”, kishte thënë ai.
Ai ishte pyetur se edhe ka pasur djali i tij armë, për çka e kishte mohuar një gjë të tillë.
Po ashtu, Shabani kishte thënë para policisë se Naimi kishte pasur një problem me djalin e hallës së tij.
“A e dini ju ndonjë problem që kanë pasur Naimi me bashkëshorten, Liridonën, që ju keni mundur të vëreni apo të dëgjoni nga familjaret e tjerë? Përgjigja është: unë përveç një problemi që e ka pasë Naimi me djalin e hallës së vet Kanunin para një viti, që ka pasur disa mesazhe të shkëmbyera përmes telefonit, gjegjësisht me Biondinën, gruan e Kanunit, sipas njohurive që unë kam, nuk ka pasur dicka më shumë mes Naimit dhe Biondinës, përveç disa shkrimeve dhe fotove jo intime, normale, foto normale, mirëpo e si që Liridona me Naimin, Kanunin dhe Biondinën janë marrë vesh qe kjo gjë të mbyllet me kaq”, ka thënë gjyqtarja Fatime Dërmaku gjyqë leximit të deklaratës së dhënë nga Shaban Murseli.
Në seancën e sotme ka munguar Shaban Murseli, dëshmitari i ftuar nga Prokuroria në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Gjykatësja Fatime Dërmaku tha se për te njëjtin është lëshuar urdhërresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese.
Shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë me administrimin e provave.