Shqipëria ka finalizuar marrëveshjen për pjesëmarrje në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, ndërsa kontributi i Kosovës është përmendur si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për sigurinë dhe rindërtimin e këtij territori palestinez.
Sipas njoftimit të Bordit të Paqes, Republika e Shqipërisë, Bordi i Paqes, Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit dhe Grupi i Punës për Gazën kanë përfunduar zyrtarisht marrëveshjen për përfshirjen e Shqipërisë në këtë forcë.
Në kuadër të marrëveshjes, Shqipëria do të ofrojë mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe kapacitete për planifikimin e operacioneve në kuadër të misionit në Gaza.
Bordi i Paqes thekson se kontributi i Shqipërisë i shtohet atij të Marokut dhe Kosovës dhe se angazhimi i këtyre vendeve do të jetë thelbësor për përshpejtimin e misionit që synon avancimin e qeverisjes, sigurisë, përpjekjeve humanitare, sundimit të ligjit dhe rindërtimit të Gazës.
Oficerët shqiptarë pritet të dislokohen muajin e ardhshëm
Marrëveshja u finalizua më 21 tetor, në një ceremoni ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, gjeneralmajor Jasper Jeffers, si dhe përfaqësues të tjerë ushtarakë e diplomatikë.
Sipas njoftimit, Shqipëria tashmë ka kontribuar në përpjekjet e Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për zbatimin e planit gjithëpërfshirës të presidentit amerikan, Donald Trump, për paqen në Gaza.
Me marrëveshjen e re, Shqipëria e ka formalizuar në legjislacionin e saj kombëtar mbështetjen për misionin e ISF-së. Oficerët shqiptarë të ndërlidhjes pritet të dislokohen në rajon muajin e ardhshëm.
Bordi i Paqes dhe Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit kanë shprehur mirënjohje ndaj Shqipërisë për angazhimin e saj në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.