Aktorja legjendare franceze, Brigitte Bardot, ka thënë se është “një mrekulli” që është ende gjallë, duke kujtuar përpjekjet e saj për vetëvrasje dhe betejat e gjata me depresionin në rininë e saj.

91-vjeçarja flet hapur në një dokumentar të ri për periudhat e errëta të jetës.
“Po mundohesha t’i jepja fund jetës time dhe u shpëtova nga një mrekulli… Çdo mëngjes zgjohem dhe jam e trishtuar”, citohet të ketë thënë Bardot, ka raportuar The Times .
Ani pse shfaqet vetëm për pak momente në dokumentar, zëri i saj dëgjohet gjatë gjithë filmit. Bardot tregon se fama dhe izolimi që vinte me të e kishin rënduar shumë, si dhe fakti që u kthye në një simbol seksi në mbarë botën.

Ylli i filmit “And God Created Woman” ka hequr dorë nga aktrimi para se t’i mbushte 40 vjeç dhe tani shpreson të kujtohet më shumë për aktivizmin e saj për të drejtat e kafshëve sesa për karrierën në film.
“Nuk më intereson nëse njerëzit më kujtojnë. Ajo që dua është që të kujtojnë respektin që u detyrohemi kafshëve. Sa më shumë që përparoj në jetë, aq më shumë kam frikë nga njerëzit. Jam më shumë kafshë se njeri”, ka thënë ajo.

Së fundi, Bardot u kërkoi fansave të “qetësohen” pas shqetësimeve për gjendjen e saj shëndetësore, pasi ishte shtruar dy herë në spital që nga muaji tetor.
“Znj. Brigitte Bardot po rikuperohet, u lutet të gjithëve të respektojnë privatësinë e saj dhe i fton të gjithë të qetësohen. Ajo u dërgon dashurinë të gjithë atyre që janë sinqerisht të shqetësuar”, thuhet në njoftimin që ka publikuar fondacioni i saj.
Në muajin tetor, aktorja u detyrua të mohonte lajmet e rreme që pretendonin se kishte vdekur.

“Nuk e di kush është idioti që shpiku këtë ‘fake news’ për zhdukjen time, por jam mirë dhe s’kam ndërmend të largohem”, pati shkruar ajo në rrjetin social X, ish-Twitter.
Thashethemet ishin përhapur nga influencerja franceze Aqababe (Aniss Zitouni), i cila madje pretendoi se kishte “informacione ekskluzive” dhe se arkivoli i Bardotit ishte porositur.

Edhe pasi vet Bardot e mohoi lajmin, ajo nguli këmbë se “nuk ishte vetë aktorja që menaxhonte llogarinë”.
Më pas ajo e fshiu postimin, duke shkruar se e fshiu lajmin ekskluziv, por të gjithë do ta binden pas pak.
“Fshiva tweetin ekskluziv për vdekjen e Brigitte Bardot. Nuk është ajo që menaxhon llogarinë e saj, do ta shihni kur AFP ta konfirmojë zyrtarisht”, pati shkruar ajo.