Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton rastin e dëmtimit të varrit të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Në raportin 24-orësh të Policisë të dielën thuhet se një varr është dëmtuar dhe njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes. Rasti vazhdon të jetë nën hetime nga njësitë relevante policore.
Lidhur me këtë ngjarje, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar gjatë ditës së djeshme, duke bërë të ditur se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar te varri i Astrit Deharit.
Në reagimin e publikuar në Facebook, VV-ja falënderoi Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe kërkoi zbardhjen e shpejtë të incidentit.
“Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falënderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në njoftim.
Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, kishte vdekur në vitin 2015 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshime për terrorizëm, pas sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Lëvizja Vetëvendosje ka këmbëngulur se bëhet fjalë për vrasje.