Të hënën u lansua platforma “Integrity Watch Kosova” nga Instituti Demokratik i Kosovës. Diana Metushi-Krasniqi nga kjo organizatë, ka thënë se kjo platformë e cila është e para e këtij lloji në Kosovë, mbledh dhe thjeshton të dhëna kyçe për financimin politik, prokurimin publik dhe deklarimet e pasurisë së zyrtarëve publik.
Në emisionin “Interaktiv” në KTV, ajo teksa tregoi më shumë detaje për këtë platformë, tha se brenda 20 minutave, ka identifikuar tri raste potenciale të korrupsionit.
“Me këtë platformë, i kemi marrë të gjitha të dhënat që kanë qenë të shpërndara gjithandej nëpër institucione të caktuara dhe i kemi kthyer në të dhëna të cilat i lexon lehtë platforma dhe përpunohen lehtë. Nëse hyn në platformë janë tri module të ndryshme, mund të shohësh statistika qysh kanë qenë trendet ndër vite, mund të bësh analiza ekonomike në pjesën e prokurimit. Më e mira, platforma në mënyrë tepër të shpejtë dhe të lehtë i zbulon rastet e rrezikut ndaj korrupsionit. E testova dje, për 20 minuta identifikova tri raste potenciale të korrupsionit. Platforma nuk jep verdikte. Janë vetëm informata që ngrisin disa ‘flamuj’ kur diçka nuk i takon një rrjedhe ligjore apo një rrjedhe të standardeve të cilat janë vendosur për të na siguruar që paratë e taksapaguesve po shpenzohen në mënyrë të rregullt”, ka deklaruar Metushi-Krasniqi.
“Integrity Watch Kosova”, si platforma më e re e lansuar është një mjet digjital që synon të fuqizojë qytetarët, mediat dhe organizatat për të mbikëqyrur më lehtë integritetin në funksionet publike. Përmes integrimit të ‘flamujve të kuq’, platforma sinjalizon automatikisht rreziqet e korrupsionit, përfshirë rastet e konfliktit të interesit.
Platforma u mundëson qytetarëve, gazetarëve, studiuesve, organeve të sundimit të ligjit dhe vendimmarrësve të shohin: si financohen partitë politike, përfshirë donatorët, shumat dhe datat e kontributeve, llojin e kontributit dhe subjektin përfitues, si dhe raportet e tyre financiare.
Platforma është zhvilluar nga KDI në kuadër të zbatimit të projektit rajonal “Integrity Watch në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, i financuar nga Bashkimi Evropian.