Një 27-vjeçar dhe një 40-vjeçar janë therur me thikë në Koshuticë të Leposaviqit. Policia ka njoftuar se 40-vjeçari, shtetas i Sirisë me plagë të shkaktuar nga një mjetë i mprehtë në pjesë të ndryshme të trupit ishte vërejtur i shtrirë në oborrin e një shtëpie.
“Fsh. Koshuticë, Leposaviq 10.12.2025, 00:50. Dy dëshmitare femra kosovare, kanë raportuar se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë vërejtur një person të shtrirë me plagë nëpër pjesë të ndryshme të trupit të shkaktuara nga mjeti i mprehtë. Viktima mashkull i moshës rreth 40 vjeçar, shtetas i Sirisë është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Mitrovicës Veri dhe më pas është transferuar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Policia ka dhënë edhe një raport shtesë flet për 27-vjeçarin sirian i cili kishte lëndime në kokë dhe këmbë e që dyshohet se po ashtu plagët i kishte nga mjeti i mprehtë.
“Me raport shtesë rreth orës 11:05 jemi njoftuar se njësiti nga SPMK Jarinje gjatë patrullimit në fsh. Koshuticë ka vërejtur një person mashkull Sirian i moshës 27 vjeçar me lëndime në kokë dhe këmbë që dyshohet se plagët janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. Viktima ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë dhe i dyshuari është larguar në drejtim të kufirit të Serbisë. Njësiti i emergjencës viktimën e kanë dërguar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për tretman të mëtutjeshëm”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.