Lirohet nga akuza i akuzuari për kanosjen e punëtores në një dyqan

Prishtinë | 11 Dhj 2025 | 21:55 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj A.R., për akuzën se ka kryer veprën penale “Kanosja”.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Driton Berisha, i cili tha se nuk është vërtetuar se ka kryer këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

E dëmtuara E.P., ka deklaruar se nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike. Palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditëve.

Paraprakisht, në fjalën përfundimtare prokurori Eset Mustafa tha se u vërtetua se i pandehuri e ka kryer veprën penale që i vihej në barrrë. Kjo tha se u vërtetua nga administrimi i të gjitha provave dhe dëshmisë së E.P., dhe shtoi se i akuzuari ka pranuar se i përdori fjalët që janë në aktakuzë, ndaj të dëmtuarës.

“Sa i përket deklarimit të të pandehurit se është sulmuar, një gjë të tillë nuk e ka deklaru në Polici dhe është në kundërshtim me provat e tjera”, tha Mustafa.

Si rrethanë rënduese, prokurori Mustafa kërkoi që Gjykata të marrë parasysh faktin se i pandehuri ka raste të tjera penale, kurse si rrethanë lehtësuese bashkëpunimi me organet e ndjekjes.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, A.R., akuzohej se më 5 janar 2024 kishte shkuar në një dyqan në Prishtinë dhe derisa e dëmtuara- punëtorja E.P., ishte në vendin e punës dhe e kishte vërejtur të dyshuarin se është recidivist i veprave penale, kishte tentuar ta largojë nga dyqani duke i thënë “a po del jashtë”. Aty thuhet se i pandehuri e kishte kërcënuar të dëmtuarën, me fjalët “Mos ma përmend emrin se qitash vi ta kalli marketin”, dhe ishte larguar nga aty, duke i shkaktuar të dëmtuarës ndjenjën e ankthit, frikës dhe të pasigurisë për jetë.

Me këtë, A.R., akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.1 të Kodit Penal.

Të ngjashme