Kryeziu bën thirrje për mbështetje të protestave për ish-udhëheqësit e UÇK-së: Po mbahen padrejtësisht

Prishtinë | 12 Dhj 2025 | 08:24 | Nga Drita Dërmaku

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin protestat për lirimin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, Kryeziu e ka quajtur Gjykatën Speciale, gjykatë kriminale pasi që konsideron se dosjet kundër tyre janë të fabrikuara dhe vijnë nga Beogradi dhe individë të paguar.

“Kjo gjykatë do të hyjë në histori, ndoshta do të marrë edhe çmimin Nobel, sepse i ka mbajtur në paraburgim pa asnjë gjykim dhe në fund do të lirohen të lirë. Kjo është diçka kriminale për atë që po ndodh atje. E kemi për obligim që secili të punojmë dhe të kontribuojmë në organizimin e protestave për lirimin e çlirimtarëve tanë. Sepse po mbahet padrejtësisht, deri tani nuk ka dalë asnjë dëshmitar ose aktakuzë; krejt kjo ka qenë nga dita e parë gjykatë kriminale, shantazhuese. I vetmi gabim që është bërë në atë gjykatë është që nuk i kanë caktuar afate. Ajo gjykatë ka qenë e detyruar të tregojë pafajësinë e tyre, pastërtinë e luftës çlirimtare, sepse ata nuk kanë vrarë shqiptarë. Të gjitha këto janë dosje të fabrikuara, të ardhura nga Beogradi, Dick Marty dhe prej njerëzve të paguar. Ne e kemi dhënë kontributin maksimal si me organizim, ashtu edhe me protestat në Holandë, Strasburg, Tiranë dhe protestën e shkurtit, ku do të jemi të gjithë prezent. Bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të vijnë të protestojnë. Aty nuk po protestohet për lirimin e Hashim Thaçit, aty po protestohet për pafajësinë dhe pastërtinë e luftës çlirimtare, që ka qenë luftë dhe sakrificë që na ka sjellë lirinë. Po të mos ishte ajo luftë, sot nuk do të punonim”, deklaroi Kryeziu.

Kryeziu ka përmendur rëndësinë historike dhe sakrificën e luftës çlirimtare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë trashëgiminë dhe kulturën e luftës për liri, duke kujtuar rolin e familjes Jashari dhe dëshmorëve të Kosovës.

“Është padiskutim me fitore dhe lirim, është e padiskutueshme. Ne presim, sepse disa miq të mi kanë iniciuar një gjë që nuk mund ta bëj publike. Presim që më 26-27 dhjetor të ndodh diçka; do të mbahet një mbledhje diku nga disa miq të mi eurodeputetë dhe nuk mund ta bëj publike për shkak të shteteve që nuk na duan, që janë pjesë e këtij organizimi. Mirëpo, 547 vota i kemi siguruar për pafajësinë e çlirimtarëve tanë. Presim që të mbarojë më shpejtë se sa duhet. Gjashtë vjet po mbahet padrejtësisht; kjo është e rëndë për ta dhe për familjen. Uroj që ky vend t’i dijë vlerat këtij vendi, t’ia dijë heronjtë, trashëgiminë dhe kulturën, sepse pa sakrificën e familjes Jashari ne nuk do të kishim pasur dëshmorë. Është një shprehje: historia harron, përsëritet. Uroj që të jetojmë dhe të ecim përpara”, theksoi ai.

Të ngjashme