Iniciativa për Progres (INPO) ka publikuar raportin “Pavarësia dhe efektiviteti i OShP-së: ndërmjet zbatimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit”, në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2025, e ku në konferencë, Albulena Nrecaj, drejtore ekzekutive në Iniciativa për Progres (INPO), ka thënë se INPO ka përgatitur raport me synim që ta njoftojë edhe politikanët apo zyrtarët publikë për gjetjet e OShP-së, por sipas saj, ata nuk e kanë parë të udhës të bashkohen në diskutim, raporton Ekonomia Online.
Nga analiza e bërë rezulton që ka rritje të ankesave që janë ankimuar në OSHP, por rritje nuk ka edhe sa i përket ekspertëve shqyrtues në këtë institucion i cilin punon me gjashtë ekspertë të brendshëm dhe dhjetë të jashtëm. Që rrjedhimisht nga analiza e INPO-së nga mbi 1 mijë ankesa, një ekspertit i duhen afërisht dhjetë ditë kohë për ta trajtuar një ankesë.
“Në këtë tryezë do të diskutojmë për një nga shtyllat më të rëndësishme të integritetit të prokurimit publik, do të diskutojmë për Organin Shqyrtues të Prokurimit, funksionimi i secilit nuk është vetëm teknik por është një mekanizëm që garanton barazi, konkurrencë dhe ligjshmëri në çdo tender publik. Kur kjo nuk funksionon atëherë nuk përfiton shteti, nuk përfitojnë operatorët ekonomikë, nuk ruhet paraja publike, dhe gjithsesi nuk përfitojnë qytetarët. Qëllimi i raportit nuk është që të jap një listë statistikash, apo të flasë në aspektin statistikor ku ka qenë e ku është sot OSHP e sidomos në një vit si ky që kemi pasur probleme në akses për shkak të ndryshimeve dhe intervenimeve në faqet shtetërore, por ky raport synon që të paraqesë problemet endemike që ballafaqohet OSHP tash e sa vite, mosadresimi i të cilave nuk mundëson në asnjë formë që OSHP të performojë më mirë se që është duke performuar ose të përmirësojë statistikat për të cilat kemi raportuar në vazhdimësi. Kjo tryezë është një mundësi për reflektim dhe dialog të sinqertë. INPO e ka përgatitur këtë raport me synim që ta njoftojë edhe politikën, apo zyrtarët publikë të këtij shteti të cilët nuk e kanë parë të rrugës, apo të arsyeshme të na bashkohen në këtë tryezë. Të paraprë kanë qenë, edhe ish-deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar që kanë mbikëqyrë OSHP por asnjëri nuk ka gjetur kohën dhe rëndësinë e kësaj tryeze”, tha Nrecaj.
Arbër Kabashi, hulumtues në Iniciativa për Progres (INPO), ka treguar se brenda këtij viti, pra deri më 11 dhjetor në OSHP janë adresuar 1 mijë e 164 ankesa.
“Kohëzgjatja apo performanca e OSHP-së në trajtimin e ankesave është vetëm simptomë ngase performanca e drejtpërdrejtë varet nga disa faktorë të tjerë që i kemi identifikuar. Në aspektin numerik deri më 11 dhjetor të këtij viti, pranë këtij institucioni janë deponuar 1 mijë e 164 ankesa, pra shikuar ndër vite numri i ankesave që po deponohen po shkon duke u rritur. Po në sa i përket krahasimit të ankesave, i kemi analizuar në raport të iniciimeve të aktiviteteve që janë bërë nga të gjitha institucionet për të parë se a ka rritje të numrit të ankesave apo zvogëlim të numrit të ankesave. Në 2024, 10.9 për qind e të gjitha aktiviteteve që janë iniciuar për to ka pasur ankesë në OSHP, ndërsa në 2025 ka një rritje 13.7 për qind e aktiviteteve të iniciuara nga të gjitha autoritetet kontraktuese kanë përfunduar me ankimim pranë OSHP. Që do të thotë se një në 7 aktivitete të prokurimit gjatë 2025 kanë përfunduar me ankim në OSHP”, tha ai.
Kabashi ka treguar se cilat janë problemet kyçe të cilat po janë pengesë e trajtimit të këtyre ankesave.
“Tjetër problem kryesor rezulton se operatorët ekonomikë janë cilësia e dobët e dosjeve të tenderit, problemi me specifikacionet e ndryshme dhe problemet sa i përket vlerësimit dhe ekzaminimit të ofertave. Tjetër problematikë që është shfaqur rezulton të jetë kapacitetet e pamjaftueshme sa i përket ekspertëve shqyrtues. Aktualisht OSHP ka 6 ekspertë të brendshëm dhe 10 të jashtëm. Në bazë të analizës duke pasur parasysh numrin e ankesave në OSHP rezulton që nga 1 mijë e 219 lëndë, një ekspert, për me zgjidh një ankesë i duhen 10 ditë duke pasur parasysh numrin e lëndëve. Ne me 16 ekspertë e shohim të pamundur me pasur një efikasitet të lartë nga OSHP, sepse numri i ankesave është i madh kurse i ekspertëve është i vogël”, ka shpjeguar Kabashi.
Isa Hasani, ushtrues i detyrës së kryetarit të bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ka thënë se ka një problematikë tek pjesa ligjore, duke treguar një rast kur përfaqësues të Bankës Botërore kanë thënë që nuk mund t’i mbështesin këtë institucion deri sa të ketë një reformë ligjore.

