“Korrupsioni nuk është problem abstrakt” – IKD bën thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim

Prishtinë | 12 Dhj 2025 | 14:17 | Nga Drita Dërmaku

Sikurse e nisën javën më ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi edhe e mbylli ndryshe “Javën Kundër Korrupsionit 2025”, raporton Ekonomia Online.

IKD ka prezantuar një koncept me disa para, e mbi të cilat ka vendosur mbishkrim “Rastet e manipuluara”, “Zbatimi i gabuar i ligjit”, “Vonesat në gjykim”, përmes të cilave pasqyrohet ndikimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në jetën e përditshme, në qeverisje dhe funksionimin e institucioneve publike.

Arrita Rezniqi, hulumtuese në IKD ka theksuar se sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.

“Këtë vit kemi zgjedhur që komunikimin publik ta realizojmë ndryshe. Ashtu siç e nisëm këtë javë me një qasje ndryshe, sot kemi vendosur ta mbyllim atë përmes një forme më të drejtpërdrejtë, më vizuale dhe më të prekshme, për të ilustruar dy nga sfidat më serioze dhe më të vazhdueshme të shoqërisë sonë: krimin e organizuar dhe korrupsionin. Përmes këtij aktiviteti konceptual kemi synuar të dalim përtej diskutimeve tradicionale dhe të ofrojmë një përvojë konkrete, vizuale dhe ndërvepruese, e cila e bën të dukshme koston reale që këto dukuri i shkaktojnë jetës së përditshme të qytetarëve. Koncepti që shihni sot është ndërtuar rreth katër stacioneve tematike, të cilat pasqyrojnë ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në jetën e përditshme, në qeverisje dhe funksionimin e institucioneve publike, në sistemin e drejtësisë, si dhe në stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit. Secili stacion trajton një dimension të veçantë, duke kombinuar elementë analitikë me paraqitje vizuale, për ta shndërruar korrupsionin nga një nocion abstrakt në një realitet konkret dhe të prekshëm. Në këtë hapësirë, nga afër mund të shihni se si korrupsioni dhe krimi i organizuar ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme, përmes mungesës së energjisë elektrike, rrugëve të dëmtuara, ujësjellësve të kontaminuar, ilaçeve të pasigurta dhe problemeve të tjera që prekin secilin prej nesh. Po ashtu, krijimi i pabarazive shoqërore si pasojë e favorizimit të grupeve të interesit, si dhe abuzimi me paranë publike përmes prokurimeve jo transparente, bëjnë që koston e këtyre dukurive ta paguajmë drejtpërdrejt ne, qytetarët e këtij vendi. Sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kur funksionon si duhet, ai krijon mekanizmat e nevojshëm për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre dukurive. Megjithatë, ndikimi i korrupsionit mund të cenojë vetë funksionimin e drejtësisë, duke e shndërruar atë nga instrument i drejtësisë në burim të padrejtësisë”, tha ajo.

Rezniqi ka nënvizuar se korrupsioni nuk është problem abstrakt por prekë familjen, shëndeti dhe të ardhmen e brezave të rinj.

“Të gjitha këto pasoja, të marra së bashku, çojnë në një përfundim të hidhur: dobësimin e perspektivës së shtetit dhe humbjen e shpresës, veçanërisht tek të rinjtë, të cilët përballë mungesës së mundësive për zhvillim, punësim dhe jetë dinjitoze, zgjedhin largimin nga vendi. Kjo gjeneron migrim të vazhdueshëm dhe zbrazje të kapitalit njerëzor në të gjitha kategoritë shoqërore. Pikërisht këto elemente kemi tentuar t’i paraqesim sot në mënyrë modeste, por sa më reale dhe të prekshme. Hapësira është konceptuar në mënyrë që secili prej jush të mund të lëvizë lirshëm, të vëzhgojë, të pyesë dhe të reflektojë. Sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk janë probleme abstrakte. Ato prekin familjet tona, shëndetin tonë, të ardhmen e brezave të rinj, të drejtën tonë për shërbime të ndershme dhe për një shtet funksional. Dhe për t’i luftuar, së pari duhet t’i kuptojmë dhe t’i shohim pasojat e tyre në realitetin e përditshëm”, theksoi ajo.

Lidhur me Javën Kundër Korrupsionit 2025, Rezniqi përmendi tërë organizmin dhe aktivitetet.

“Ky aktivitet shënon edhe mbylljen e ‘Javës Kundër Korrupsionit 2025’, e cila nisi më 8 dhjetor me moton ‘Bashkë kundër korrupsionit’. Gjatë kësaj jave, koalicioni i organizatave IKD, FOL dhe INPO ka zhvilluar një sërë aktivitetesh, përfshirë konferenca për media, tryeza diskutimi, publikime analitike, podkaste, aktivitete publike dhe fushata sensibilizuese në rrjete sociale. Qëllimi ynë ka qenë i qartë: rritja e transparencës, forcimi i integritetit institucional dhe nxitja e një kulture të qëndrueshme të llogaridhënies. Në kuadër të kësaj jave janë publikuar edhe raporte të rëndësishme, përfshirë: ‘Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit’ (IKD, ‘Anulimet, forma më e heshtur e keqpërdorimit në prokurim publik’ (INPO, ‘Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare’ (IKD), ‘Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë, mes ligjit dhe realitetit’ (FOL), ‘Korrupsioni si shkelje e të drejtave të njeriut’ (IKD), ‘Deklarimi i pasurisë: gabimi gjyqësor që hoqi përgjegjësinë nga shkelësit e ligjit’ (IKD), ‘Pavarësia dhe efikasiteti i OSHP-së, ndërmjet zbatimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit’ (INPO). Këto publikime jo vetëm që kanë identifikuar probleme konkrete dhe të vazhdueshme të korrupsionit në Kosovë, por kanë ofruar edhe rekomandime të qarta dhe të zbatueshme për adresimin e tyre”, shtoi ajo.

Të ngjashme