Lansohen pesë platforma të Integrity Watch në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Duke i paraprirë Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe gjatë javës së aktiviteteve që shënojnë këtë datë, pesë degët e Transparency International në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Transparency International në Bosnjë dhe Hercegovinë, Transparency International nga Maqedonia e Veriut, Transparentnost Srbija dhe Transparency International Türkiye — lansuan zyrtarisht platformat digjitale Integrity Watch (IW), duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucionet publike në të gjithë rajonin.

Pesë platformat u ofrojnë qytetarëve, mediave, organizatave të shoqërisë civile, akademisë dhe institucioneve publike në rajonin e Ballkanit qasje të lehtë në të dhëna dhe informacione publike që lidhen me integritetin në ushtrimin e funksioneve publike.

Përmes indikatorëve të integritetit, platformat ekspozojnë rreziqet e korrupsionit në fushat si deklarimi i pasurisë, prokurimi publik dhe financimi politik, ndërsa janë zhvilluar në kuadër të projektit rajonal të financuar nga BE-ja “Shoqëria civile lufton korrupsionin përmes të dhënave mbi integritetin politik”, i cili udhëhiqet nga KDI.

Platformat Integrity Watch i shndërrojnë të dhënat institucionale në vizualizime të kuptueshme dhe të lehta për përdoruesit, duke mundësuar analiza të bazuara në prova, gazetari hulumtuese dhe duke forcuar mbikëqyrjen publike të proceseve vendimmarrëse. Duke përmirësuar qasjen dhe përdorshmërinë e të dhënave, platformat kontribuojnë në një debat publik më të informuar dhe në rritjen e llogaridhënies institucionale.

Një veçori kyçe e kësaj nisme rajonale është përdorimi i një qasjeje konceptuale dhe strukture të përbashkët të platformës, ndërkohë që secila platformë Integrity Watch pasqyron të dhënat e disponueshme në nivel kombëtar si dhe kontekstin ligjor dhe institucional specifik të secilit vend. Në tërësi, platformat kontribuojnë në një kuptim më të gjerë rajonal të sfidave që lidhen me integritetin.

Platformat Integrity Watch janë zhvilluar në përputhje me parimet e qeverisjes së hapur, të dhënave të hapura, kontraktimit të hapur dhe llogaridhënies publike.

Ky lansim rajonal riafirmon përkushtimin afatgjatë të Transparency International dhe degëve të saj për forcimin e qeverisjes demokratike, luftimin e korrupsionit dhe mbështetjen e institucioneve që i shërbejnë interesit publik.

Të ngjashme