“Mik i Fëmijëve”, KOMF dhe Fondacioni Terre des hommes ndajnë çmimet për gazetarët

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 13:15 | Nga Gzim Mujaj

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe Fondacioni Terre des hommes kanë ndarë çmimet vjetore për gazetari dhe mirënjohjet “Mik i Fëmijëve” për kontribuuesit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Donjeta Kelmendi, ka theksuar rolin thelbësor të mediave në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke bërë thirrje që raportimi për fëmijët të vazhdojë dhe të rritet, pavarësisht dominimit të temave të tjera në diskursin publik.

“Sot duhet të ritheksojmë rolin e padiskutueshëm dhe të pazëvendësueshëm të gazetarëve dhe mediave për ndërgjegjësimin e publikut për mbrojtjen e fëmijëve, për ndikimin e tyre në ndryshimin e politikave dhe për ndikimin e tyre në ndryshimin e jetës së fëmijëve. Sot nga këtu bëjmë thirrje që raportimi për fëmijët të vazhdojë të rritet tutje, sidomos duke pasur parasysh që në skenën e mediave apo në diskursin publik dominojnë tema të tjera dhe fëmijët anashkalohen. Viti 2025 ka qenë një vit i vështirë, mbështetja nga donatorët ndërkombëtarë po vazhdon të bjerë, ndërsa tërheqja e ndihmës së SHBA-së në Evropë, përfshirë Kosovën, ka krijuar boshllëqe të mëdha. Pas çdo programi apo shërbimi të ndërprerë janë emra dhe jetë fëmijësh që humbasin mundësitë për t’u mbrojtur, rehabilituar dhe riintegruar në shoqëri”, tha ajo.

Shefi i Zyrës së Terre des hommes në Kosovë, Pajtim Zeqiri, theksoi rëndësinë e raportimit të përgjegjshëm dhe etik nga mediat.

“Mbrojtja e fëmijëve është detyrë e secilit prej nesh. Roli i gazetarëve është thelbësor dhe raportimi i përgjegjshëm e etik mund të parandalojë dhunën, të thyejë heshtjen dhe të nxisë reagimin e nevojshëm institucional që sjell ndryshime shoqërore, gjë që është objektiv i përbashkët i të gjithë akterëve që punojnë në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve”, tha ai.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se mediat kanë rol garantues në një shoqëri demokratike, por theksoi edhe përgjegjësinë e institucioneve për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për punën e tyre.

“Roli i mediave në një shoqëri demokratike është thelbësor, është siguri dhe garanci. Por në të njëjtën kohë institucionet mbajnë përgjegjësi për të krijuar ambient të përshtatshëm për punën e mediave, më të lira në ushtrimin e detyrës së tyre. Viti që po e lëmë pas nuk ka qenë terreni më i mirë i mundshëm dhe ka pasur sfida”, tha ai.

Gjatë ceremonisë janë ndarë mirënjohjet “Mik i Fëmijëve” për Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë dhe ambasadorin Eric Dietz, si dhe për Bankën Kombëtare Tregtare të Kosovës. Në këtë kategori janë vlerësuar edhe donatorët e Diasporës për fëmijët me autizëm.

Po ashtu, çmime për gazetari në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve u ndanë për gazetaren Albiona Hoxhaj, gazetarin Herolind Ademi dhe gazetarin Besian Beha si dhe Faton Polisit.

Paneli Vlerësues për shkrimet gazetareske, i përbërë nga Evliana Berani – gazetare, Luljetë Prekazi – psikologe dhe Imer Mushkolaj– gazetar, ka përzgjedhur katër gazetarë për tu vlerësuar me çmimin vjetor 2025 në fushën e gazetarisë, si më poshtë:

–        Besian Beha, Nacionale, për video reportazhin “Një shqelm kundër racizmit”, i cili pati në qendër pjesëtarin e komunitetit ashkali, futbollistin 15‑vjeçar nga Fushë Kosova, Belgin Jashari. Ishte pikërisht reportazhi i gazetarit Besian Beha ai që e theu heshtjen, duke nxitur një zinxhir reagimesh nga institucionet dhe shoqëria civile. Reportazhi nxiti reagime nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

–        Albijona Hoxhaj, Betimi për Drejtësi, për dokumentarin hulumtues “Adoleshentë të armatosur shfaqen pa frikë online”, i i cili shpalosi anën e errët të rreziqeve digjitale me të cilat përballen fëmijët në Kosovë. Ky dokumentar hulumtues, trajton ekspozimin e armëve dhe glorifikimin e dhunës në grupe në rrjetin social “Snapchat”, të njohura si “shared stories”. Si rezultat i hulumtimit dhe presionit publik, u mbyllën disa prej grupeve dhe u identifikuan shumë të tjera, që poashtu u shënjestruan nga institucionet e rendit dhe të sigurisë.

–        Herolind Ademi, Klan Kosova, për storien “Çka po ndodh në shkolla?”, lidhur me praninë e drogës në shkollat e Kosovës, ku ka zbuluar pjesë të rënda të realitetit me të cilin përballen fëmijët tanë. Përmes kësaj storie, ai ka shpërfaqur rreziqet serioze që u kanosen nxënësve nga substancat narkotike që shiten kaq aur në amientet publike.

–        Faton Polisi, Grupi Koha, me tregimin “Sara, futbollistja që frymëzon”, tregim i cili sjell në qendër të vëmendjes historinë frymëzuese të 15‑vjeçares Sara Bulliqi, e cila nuk e ka një pjesë të krahut të djathtë, por nuk ka lejuar që kjo ta ndalë në rrugën drejt ëndrrës së saj për t’u bërë futbolliste.

Të ngjashme