RrGK publikon raportin “Zero Tolerancë?” – Ligjet ekzistojnë, zbatimi mbetet sfidë

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 11:37 | Nga Diellza Gashi

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka publikuar raportin e ri hulumtues me titull “Zero Tolerancë? Monitorimi i Reagimit Institucional ndaj Dhunës me Bazë Gjinore në Kosovë”, i cili analizon reagimin e institucioneve ndaj dhunës me bazë gjinore gjatë periudhës 2021–2024, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e Bordit të RrGK-së, Nermin Mahmuti, theksoi se ndonëse Kosova ka shënuar përparime të konsiderueshme në ndërtimin e kornizës ligjore për parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore, sfida kryesore vazhdon të mbetet zbatimi i ligjeve në praktikë.

Ajo vuri në pah rolin kyç të shoqërisë civile, veçanërisht të Rrjetit të Grave të Kosovës, në shtyrjen përpara të reformave në këtë fushë, duke theksuar se kontributi i këtij rrjeti ka qenë vendimtar në formësimin e politikave dhe mekanizmave mbrojtës.

Mahmuti gjithashtu theksoi se qëndrueshmëria financiare e organizatave të shoqërisë civile mbetet një sfidë serioze, ndërsa grupet më të margjinalizuara, përfshirë gratë e dhunuara seksualisht dhe gratë nga komunitetet LGBT, përballen me barriera edhe më të mëdha në qasjen ndaj shërbimeve dhe drejtësisë.

Shefja e Zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim në Kosovë, Rita Glavitza, përgëzoi përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore, duke theksuar rëndësinë e publikimit të këtij raporti dhe rolit të shoqërisë civile në nxitjen e ndryshimeve.

Ajo theksoi se dhuna seksuale dhe ajo me bazë gjinore vazhdojnë të jenë të përhapura në Kosovë, duke ndikuar seriozisht në mirëqenien fizike dhe psikologjike të grave, fëmijëve dhe personave nga komunitetet LGBTQI. Sipas saj, pavarësisht përparimeve në përmirësimin e kornizës ligjore dhe mekanizmave institucionalë, mbetet ende shumë për t’u bërë për të arritur tolerancë zero në praktikë.

Ndërkaq, zyrtarja e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore, Besarta Breznica, sqaroi se dhuna me bazë gjinore përfshin dhunën fizike, seksuale, psikologjike dhe dhunën në familje, duke prekur më së shumti gratë si pasojë e pabarazive gjinore dhe marrëdhënieve të pabarabarta të fuqisë.

Ajo theksoi se përfshirja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës që nga viti 2020 ka krijuar një bazë të fuqishme ligjore për parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore, ndërsa raporti është realizuar përmes metodave të kombinuara hulumtuese, duke përfshirë analizën e kornizës ligjore, monitorimin e reagimit institucional, intervista dhe analizë të të dhënave statistikore.

Të ngjashme