Një gjeneral i lartë rus është vrarë të hënën në jug të Moskës nga shpërthimi i një bombe të vendosur në makinën e tij. Kështu kanë njoftuar autoritetet hetuese ruse, duke shtuar se dyshohet se shërbimet speciale ukrainase mund të kenë qenë pas sulmit.
Bomba shpërtheu poshtë një automjeti Kia Sorento që drejtohej nga gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, shef i drejtorisë së trajnimit operacional të ushtrisë në Shtabin e Përgjithshëm rus, në momentin kur ai po largohej nga një vend parkimi rreth orës 06:55 me orën e Moskës (03:55 GMT).
Komiteti Hetimor i Rusisë bëri të ditur se Sarvarov humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi.
Hetuesit publikuan një video nga vendngjarja që tregon automjetin e shkatërruar. Autoritetet thanë se një nga pistat kryesore të hetimit është se bomba është vendosur nga shërbimet speciale ukrainase.
Nga ana e Ukrainës nuk pati menjëherë një reagim zyrtar.