Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim 30-ditor për dy persona, A.K., zyrtar policor, dhe B.C., shtetas serb, nën dyshimin për marrje dhe dhënie ryshfeti.
Sipas prokurorisë, A.K. dyshohet se më 22 dhjetor 2025, në pikën kufitare Vërmicë, ka pranuar ryshfet për t’i mundësuar B.C. hyrjen ilegale në Kosovë, ndonëse këtij i ishte ndaluar hyrja për mungesë dokumentacioni.
Pas marrjes së parave, zyrtari policor dyshohet se e ka kaluar ilegalisht kufirin dhe e ka dërguar B.C. në Prizren. Prokuroria ka theksuar përkushtimin e saj në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.