Iu gjet kokainë në flokë, lirohet me kusht presidenti i Fenerbahces

Prishtinë | 25 Dhj 2025 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Fenerbahçes, Sadettin Saran, u la i lirë nën kontroll gjyqësor më 25 tetor, pas ndalimit të tij, pasi një test droge rezultoi pozitiv.

Rasti vjen në kuadër të një hetimi të gjerë që prej javësh ka tronditur vendin, ku janë ndaluar prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe influencerë të rrjeteve sociale, nën akuza që përfshijnë prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve.

Saran u mor fillimisht në pyetje më 20 dhjetor si pjesë e hetimit dhe më pas iu nënshtrua testeve toksikologjike.

Ai u ndalua më 24 dhjetor, vetëm disa orë pasi ekspertët mjeko-ligjorë zbuluan gjurmë narkotikësh në mostrat e flokëve të tij.

Sipas raportit zyrtar, në flokët e tij u gjet kokainë, ndërsa testet e gjakut, urinës dhe thonjve rezultuan negative.

Deklarata e tij para autoriteteve më 25 dhjetor thuhet se zgjati rreth dy orë.

Saran u lirua nën kontroll gjyqësor dhe do të jetë i detyruar të paraqitet pranë autoriteteve dy herë në javë.

Anëtari i bordit të Fenerbahçes, Ertan Torunoğulları, së bashku me disa tifozë, u mblodhën në Gjykatën Çağlayan në Stamboll për të shprehur solidaritet me Saranin, nën masa të shtuara sigurie.

Ndërkohë, bordi ekzekutiv i klubit zhvilloi edhe një mbledhje të jashtëzakonshme.

Në këtë takim nuk pritej të merrej ndonjë vendim lidhur me drejtimin e klubit; ai u përshkrua si një rishikim i procesit në vazhdim dhe i hapave të mundshëm, në varësi të zhvillimeve të ardhshme.

Fenerbahçe publikoi gjithashtu një deklaratë duke shprehur mbështetje të plotë për Saranin dhe duke siguruar tifozët se aktivitetet e klubit do të vazhdojnë pa ndërprerje.

Të ngjashme