Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka njoftuar se Lista Serbe po vazhdon të shkelë Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024, duke vepruar në kundërshtim me heshtjen zgjedhore.
Sipas tij, në ditën e votimit, kjo parti po fton simpatizantët të grumbullohen para zyrave të saj në Mitrovicën e Veriut dhe në komuna të tjera, gjë që ndalohet shprehimisht nga rregullorja.
Musliu thekson se veprime të tilla përbëjnë shkelje të ligjit dhe kërkon që institucionet përkatëse, përfshirë KQZ-në, Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, të ndërmarrin masa ligjore.
Ai rikujton se gjatë fushatës zgjedhore, Lista Serbe ishte dënuar me 30 mijë euro për shkelje të ligjit pas një ankese nga një subjekt tjetër politik serb në veri.