Prokuroria: Deri në këto momente nuk ka ndaluar asnjë person për veprat penale kundër të drejtave të votimit

Prishtinë | 28 Dhj 2025 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se nuk është ndaluar asnjë person për veprën penale kundër të drejtave të votimit.

“Rreth 100 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë punuar dhe ende janë duke punuar me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.  Gjatë ditës së sotme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm pesë prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërsa, “Rasti i parë është iniciuar në fshatin Ranillug –Gjian, për veprën penale nga neni 210 i Kodit Penal të Kosovës: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i dytë është iniciuar në Zhegër – Gjilan, për veprat penale nga nenet 214 dhe 215 të Kodit Penal të Kosovës “Pengim i procesit të votimit” dhe “Cenimi i fshehtësisë së votimit”,  ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i tretë është iniciuar në Prizren, për veprën penale nga neni: 217 “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i katërt është iniciuar në Drenas, për veprën penale nga neni: 215  “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq, rasti i pestë është iniciuar në Suharekë, për veprën penale nga neni: 215  “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

Të ngjashme