Gjykata i vazhdon paraburgimin Fatmir Shehollit, i arrestuar për spiunazh

Prishtinë | 10 Jan 2026 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Fatmir Shehollit i dyshuar për spiunazh.

Vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Shehollit për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 09.01.2026 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.”- thuhet në përgjigjje.

“Paraburgimi sipas këtij Aktvendimi të pandehurit F.SH. i llogaritet prej datës 09.01.2026 deri me datë 09.03.2026.”- thuhet më tej në përgjigjjen e Gashit të datës 09.01.2026.

Fatmir Sheholli ishte arrestuar më 09.10.2025 nën dyshimet për spiunazh.

Ndaj tij më 10.10.2025 Gjykata e Prishtinës i kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Sheholli dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve të urdhrave të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA dhe ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me disa prona “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, e po ashtu në lidhje me aktivitete biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Detyrat e Shehollit sipas Prokurorisë Speciale ishin grumbullimi i informacioneve dhe shpërndarja e tyre në mediat online në Kosovë.

Po ashtu në dosje thuhet se Sheholli ishte nën hetime nga Prokuroria që nga muaji gusht i vitit 2024 dhe për një kohë ai ishte edhe në përgjim fizik.

Në vëzhgimet direkte sipas dosjes së prokurorisë është zbuluar edhe një skemë ku Sheholli ka pranuar informacione nga BIA të cilat më pas janë publikuar në media në Kosovë.

Këto të dhëna pastaj, sipas Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se i ka përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s, përmes komunikimeve telefonike.

Më 07.10.2025, KALLXO.com publikoi hulumtimin për një dosje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, e cila ishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale kah mesi i vitit 2024, teksa përmendej edhe Fatmir Sheholli.

Dosja fliste për dyshime se si rreth 2 milionë euro të fondit special të AKI-së ishin shpenzuar nga tre-ish drejtorët e këtij institucioni, Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi në periudhën kohore 2017 – 2020.

Raporti i inspektimi, thotë se ish-drejtori Driton Gashi nga Fondi Special Operativ kishte shpenzuar mbi 1 milion euro, prej të cilave 500 mijë euro nuk dihet se kush i kishte pranuar. Por, për 500 mijë të tjera, kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala, e pati konfirmuar se ishin pranuar nga Fatmir Sheholli, tani i arrestuar si i dyshuar për spiunazh.

Fatmir Sheholli, është një figur e njohur në Kosovë që shpesh herë kishte marrë pjesë edhe në emisione televiziive në Kosovë dhe po ashtu ishte përmendur në foltoren e Kuvendit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Veç mos e tako Fatmir Shehollin, veç mos rri me Fatmir Shehollin, bashkëpunëtorin e Serbisë”, kishte deklaruar Albin Kurti, kryeministri tani në detyrë, më 03.11.2023, teksa po debatonte me deputetin e PDK-së, Hysen Berisha.

Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, në 9 raste thuhet se i ka dorëzu tek Fatmir Sheholli mbi 500 mijë euro.

Fatmir Sheholli në atë kohë kishte pranuar para edhe nga ish-drejtori tjetër i AKI-së, Shpend Maxhuni.

Vlera e parave që Maxhuni kishte dorëzuar tek Sheholli në 4 raste llogaritet të jetë 139 mijë euro.

Të ngjashme