Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, doli nga një takim i gjatë në Shtëpinë e Bardhë me drejtues të kompanive të naftës, pa pasur në dukje ndonjë marrëveshje të madhe nga ana e kompanive për të investuar miliarda dollarë në infrastrukturë të re nafte në vend.
I pyetur nëse kompanitë e naftës kishin bërë ndonjë angazhim konkret, Wright i tha CNN-it se kishte “interesim të jashtëzakonshëm”, por nuk konfirmoi se ishte arritur ndonjë marrëveshje.
Wright tha se Chevron, kompania e fundit amerikane që operon në Venezuelë, u ka thënë zyrtarëve federalë se sheh një “rrugë për të rritur prodhimin e saj me 50 për qind në 18 deri në 24 muajt e ardhshëm”, por pa u angazhuar financiarisht për këtë.
Më herët gjatë takimit, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se kompanitë e naftës do të investonin “të paktën 100 miliardë dollarë nga paratë e tyre” për të ndërtuar dhe zhvilluar infrastrukturën e naftës në Venezuelë.
Wright tha se kjo shumë parash do të ishte ajo që nevojitet për të rritur industrinë e naftës së vendit gjatë dekadës së ardhshme, nëse Venezuela “është paqësore dhe bëhet një shtet më funksional ligjërisht, me një mjedis më të mirë operimi”.
Ndryshe, Venezuela ka rezerva të provuara të naftës prej rreth 300 – 303 miliardë fuçi, që e vendosin si rezervat më të mëdha të naftës në botë – rreth 17 për qind të rezervave globale.
Në vlerë monetare, nëse llogaritet vetëm në bazë të çmimeve aktuale të naftës (rreth 57 – 60 dollarë për fuçi), këto rezervë mund të arrijnë rreth 17 – 18 trilionë dollarë ose edhe më shumë, në varësi të çmimeve në treg.