Në Gjykatën e Apelit do të mbahet të hënën seanca për shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit.
Më 31 korrik 2025, Gjykata Themelore e ka dënuar Pleskoviqin me 15 vjet burgim për vrasjen e tre civilëve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë luftës në Kosovë.
Vendimi ishte dhënë nga gjykatësi Rrahman Beqiri. Pleskoviqi ishte nën masë paraburgimi që para gjykimit.
Sipas aktakuzës, Pleskoviqi dhe një grup serbësh të armatosur kanë hapur zjarr me armë ‘Kallashnikov’ në qytetin e Prizrenit. Nga të shtënat kanë mbetur të vrarë R.D., B.D. dhe F.B., ndërsa Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë shpëtuar.