Ismaili – Ahmeti për zhvillimet në Iran: Aty ku normalizohet vdekja e protestuesit, çdo jetë bëhet e rrezikshme

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja Besa Ismaili – Ahmeti ka komentuar zhvillimet në Iran, për çka tha se vrasjet e protestuesve (dhjetëra mijëra!!!) në Iran janë shprehje e pastër e nekro-pushtetit

“Kur vrasja kthehet në përgjigje shtetërore ndaj kërkesës për dinjitet, shteti deklaron hapur se jeta nuk është më e shenjtë, por e negociueshme. Kjo nuk është thjesht dhunë por është logjika e një pushteti që administron vdekjen, ku jeta e protestuesit trajtohet si e pavlefshme dhe e sakrifikueshme për pushtetin shtypës. Vrasjet e protestuesve (dhjetëra mijëra!!!) në Iran janë shprehje e pastër e nekro-pushtetit: një rend politik që sundon përmes frikës, terrorit dhe eliminimit fizik të atyre që kërkojnë liri, drejtësi dhe dinjitet”, ka shkruar ajo.

Më tej ajo shkruan se aty ku normalizohet vdekja e protestuesit, çdo jetë bëhet e rrezikshme.

“Kur shteti i përgjigjet zërit qytetar me plumba, ai nuk mbron rendin, ai shpall se jeta e disidentit nuk ka më vlerë. Dhe kjo bëhet  arsyeja pse heshtja është bashkëfajësi. Sepse aty ku normalizohet vdekja e protestuesit, çdo jetë bëhet e rrezikshme. Solidaritet me qytetarët liridashës iranian. Jo vrasjeve!”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme