Pse SHBA projekton demokraci dhe zhvillim në Lindje e Mesme?

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 15:47 | Nga Agron Hoti

Pse SHBA projekton demokraci dhe zhvillim në Lindje e Mesme?

          Që nga viti 1945 e deri rreth vitit 2020, Lindja e Mesme ishte prioriteti numër një global i SHBA-së për sa i përket importit të energjisë. Kulmi i kësaj varësie u arrit në fillim të viteve ’70, kur SHBA importonte mbi 80% të energjisë së saj nga Lindja e Mesme. Pas vitit 2020, kjo përqindje ka rënë ndjeshëm, në më pak se 10%, si rezultat i rritjes së prodhimit vendor dhe diversifikimit të burimeve të importit të energjisë.

          Për dekada me radhë, SHBA mbrojti një trajektore gjeopolitike që shtrihej nga Afganistani deri në Jugosllavi, një nga zonat më të paqëndrueshme të globit. Kjo bëhej me të vetmin qëllim që BRSS-së të mos kishte asnjë mundësi të depërtonte në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore, e përmes tyre të siguronte dalje strategjike në Oqeanin Indian, që ishte ishte nyje kryesore për transportin e energjisë së Lindjes së Mesme drejt Evropës dhe SHBA-së.

          Edhe vetë Lëvizja e Vendeve të Painkuadruara, e cila shtrihej kryesisht përgjatë veriut të Oqeanit Indian (Afrikë, Lindje e Mesme dhe Azi Qendrore), kishte për qëllim mbajtjen e këtij rajoni jashtë përplasjes direkte mes SHBA-së dhe BRSS-së. Në këtë kontekst, mbështetja amerikane ndaj regjimeve autoritare në shumë vende të Lindjes së Mesme ishte një interes strategjik, pasi këto regjime konsideroheshin barriera të fuqishme kundër depërtimit sovjetik në burimet energjetike të rajonit. Prandaj, nuk është fare rastësi autoritarizmi brutal në Arabi Saudite dhe jo vetëm.

          Ndërkohë sot, situata gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm. SHBA ka diversifikuar ndjeshëm burimet e saj energjetike duke rritur, kështu, prodhimin e brendshëm dhe duke importuar kryesisht nga Kanadaja, Meksika dhe së fundmi edhe nga Venezuela. Si rezultat, rëndësia energjetike e Lindjes së Mesme për SHBA-në ka rënë e bashkë me të edhe rëndësia gjeostrategjike. Megjithatë, rajoni mbetet jetik për stabilitetin e çmimeve në tregjet globale të energjisë dhe për ekuilibrin gjeopolitik botëror.

          Gjithsesi, Lindja e Mesme nuk duhet të bjerë nën ndikimin dominues të Iranit të mbështetur nga Rusia dhe Kina. Dobësimi i Rusisë si pasojë e luftës në Ukrainë ka reflektuar edhe në dobësimin relativ të Iranit në rajon. Një Lindje e Mesme e de-rusizuar dhe e de-iranizuar është interes i drejtpërdrejtë i vendeve arabe, Turqisë, Izraelit dhe, mbi të gjitha, i SHBA-së. Kjo që po ndodh aktualisht në Iran është plotësisht në linjë me Strategjinë për Siguri Kombëtare të SHBA-së 2025 për de-iranizimin e Lindjes së Mesme.

          E për të rritur rezistencën e rajonit ndaj çdo forme të ardhshme shfrytëzimi apo ndikimi rus dhe kinez, demokratizimi dhe zhvillimi ekonomik i Lindjes së Mesme shihen si mjete afatgjata strategjike. Rënia e regjimeve autoritare në vendet arabe dhe potencialisht edhe në Iran do të kontribuonte në rritjen e vetëdijes qytetare të këtij rajoni ende të nxehtë, ndërtimin e institucioneve funksionale dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore.

          Dobësimi i ndikimit iranian do të nënkuptonte një rritje të ndikimit të Turqisë dhe Izraelit në Vendet Arabe, gjë që në shumë raste do të përqafohej edhe nga vetë këto vende. Paralelisht me demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik, shtetet e rajonit do të projektonin edhe forcë të mjaftueshme ushtarake të mbështetur dhe nga SHBA, Turqia e Izraeli si masë parandaluese ndaj çdo ndikimi rus apo kinez në të ardhmen.

          Në këtë kontekst, projekti amerikan për demokraci, zhvillim dhe prosperitet në Lindjen e Mesme nuk duhet parë vetëm si idealizëm politik, por si një strategji afatgjatë gjeopolitike. Një Lindje e Mesme e demokratizuar, ekonomikisht e zhvilluar dhe me vetëdije qytetare të lartë përbën mekanizmin më efektiv për të parandaluar depërtimin dhe shfrytëzimin strategjik nga Rusia dhe Kina, duke garantuar njëkohësisht stabilitet rajonal dhe ekuilibër në sistemin global të energjisë dhe sigurisë.

          Në këtë kuadër, dobësimi i Rusisë në Evropë, i shoqëruar me dobësimin e saj dhe të Iranit në Lindjen e Mesme, do të reflektohej edhe në zbehjen e ndikimit të islamit politik dhe radikal në hapësirat shqiptare dhe në diasporë. Kjo ndodh sepse si Rusia ashtu edhe Irani do të humbnin kapacitetin për të ndikuar në tjetërsimin identitar të shqiptarëve, duke nxitur rrëfime antiamerikane dhe antiperëndimore, tendenca që sot po vërehen në të gjitha hapësirat shqiptare dhe në diasporën shqiptare.

Le Ratkocien légendaire, 14 janvier 2026

Të ngjashme