Banorët e lagjes “Qendra” në Prishtinë në hall me parkingun, ankohen se kartela për hyrje po iu jepen edhe qytetarëve tjerë

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Disa qytetarë të lagjes “Qendra” në Prishtinë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj “Prishtina Parking” për shkak të lejimit të banorëve jo rezidentë për tu parkuar me vetura, e të cilët po mund të pajisen edhe me kartela në emër të banorëve rezidentë, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesja e Komitetit Lokal për Siguri Publik, Violeta Hasani tha se këtë po ua mundëson “Prishtina Parking”, por tregon edhe një marrëveshje që kishin me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

 “Kemi problem me parkingjet e lagjes që nuk janë banorë të lagjes, por janë pajisur me kartela  në emër të banorëve rezidentë,  pakënaqësi të shumta, ku ja pamundëson banorit me parku veturën sepse kemi njerëz që janë ardh prej zonave të tjera këtu. Shembull, e kemi rampën e cila është nalt KEK-u që e ka vendos, punëdhënësit e KEK-ut përveç veturave edhe ato private i lejojnë në lagje e ndërsa banorët rezidentë nuk e kanë të drejtën. Faktikisht na jena marrë vesh me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, që në zona rezidenciale mos me pasë pagesa, por me ndryshimin e rregullores i kanë pru si kriter 10 euro me u regjistru në ‘Prishtina Parking’, diçka jo e pranueshme si komunitet, dhe nuk është duke u investu asgjë në lagjen tonë, ku po shkojnë paret e gjobave, komuna na ka jep afat deri me 25 dhjetor se nëse nuk vepron ‘Prishtina Parking’ komuna do të marrë në punë për të e rregullu. Kjo është protestë vetëm me i paralajmëru, na pengojnë sirenat e zhurmave”, tha ajo.

E banori Ilir Mulhaxha tha se po bllokohen me nga dy e tre orë.

 ‘’Për parkingun jena mbledhur sot se s’jena aspak të kënaqur, bahet tollovi, gjithmonë kemi problem të ky tuneli, bllokohen duhet ka dy tri orë me prit për me ardh në dyqan presin myshteri, zot na ruajt me pas edhe ndonjë të sëmurë edhe bllokohesh, zgjedhja e vetmja është me largu Parking Prishtinën prej këtu me largu, se këtu po parkohen edhe makina tjera që vin edhe prej gjithkah po marrin gjoba, bahen qytetarët nervoz thonë po e thirrmi policinë”, u shpreh ai.

Se tek tuneli po bëhet bllokadë e thotë edhe banori Luan Dizdali.

“Te tuneli kemi një problem serioz, për me hy në lagjen tonë ne duhet me prit nga gjysmë ore, dhe bahet një kolonë e madhe, shpesh ndërhyn policia, është një kaos i vërtet,  duhet me pas një ramp, duhet me u rregullu përgjithmonë, unë si banorë duhet me prit gjysmë ore për me u kyç, duhet të rishikohen të gjitha lajmet si janë dhënë nga Përparim Rama kërkoj, në bazë të cilave kritere është bërë banorë rezidentë”, tha ai.

Të ngjashme