Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Edukimit, Komuna e Prishtinës ka organizuar një aktivitet me moton “Arsimi në dhjetë vitet e ardhshme në kryeqytet”, ku u diskutua për sfidat dhe vizionin e arsimit në të ardhmen e ku nxënësit kërkuan përmirësimin e infrastrukturës shkollore për të realizuar idetë dhe potencialin e tyre, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Arsimit të Mesëm, Anisa Rukiqi, tha se nxënësit kanë ide dhe nevoja konkrete, por shpesh përballen me mungesë kushtesh.
“Ne kemi ide, nevoja dhe detyra të ndryshme. Disa prej ideve mund të duken të paarritshme, por shumë prej tyre janë konkrete dhe mund të realizohen. Përmes aktiviteteve si ekspozita dhe ligjërata vetëdijesuese, ne si këshill i nxënësve përpiqemi t’i çojmë përpara këto iniciativa,” tha ajo.
Nxënësi Kaon Krasniqi theksoi rëndësinë e asambleve të nxënësve si hapësira ku mund të shprehen shqetësimet dhe nevojat e tyre, veçanërisht në lidhje me infrastrukturën dhe zhvillimin e talenteve.
“Asambleja e nxënësve është një nga vendet më kompetente për të shprehur problemet e nxënësve, nga arsimi fillor deri në klasat 6–9. Ne kemi talent të jashtëzakonshëm në Prishtinë dhe në Kosovë, por mungesa e infrastrukturës shpesh e pamundëson zhvillimin e plotë të këtij potenciali,” u shpreh ai.
E për këtë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ndihet i inkurajuar kur dëgjon nxënës me vizion të qartë për të ardhmen.
“’Faleminderit shumë, ma së pari është me pasë nxënës të ri si Kaoni, me një vizion të qartë për të ardhmen me njoftë rëndësinë e të ardhmes pra hapësirave ku idetë munden me u transformu në realitet, të rinjtë e kuptojnë shumë ma shumë se sa gjenerata tona rëndësinë që inteligjenca artificiale e ka sot në shoqërinë tonë. Mesazhi jem është i drejtpërdrejtë duhet me pas një bashkërendim në mes të institucionit, mes mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve”, shtoi ai.” theksoi Rama.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, rikujtoi se fëmijët duhet të jenë gjithmonë në qendër të çdo politike dhe vendimi arsimor.
“’Kryetari tha shumë mirë në formë të përmbledhura të gjitha se si duhet të shohim kryeqytetin dhe cili është vizioni i përbashkët për dhjetë vitet e ardhshme. Vetëm në formë të lutjes miqësore ose thirrjes më tepër mos të harrojmë ose të kujtojmë vetes nga këndi i prindit, drejtorit shkollës edhe neve si përfaqësues të pushtetit lokal se këta janë në qendër dhe arsyeja që vin çdo mëngjes në punë ti dëgjojmë për bazë kritikat dhe sugjerimet e tyre dhe të gjejmë energji të këta”, përfundoi Shahini.
Nga ana tjetër, Kryetari i Këshillit të Prindërve, Nexhmi Hoxha, ngriti shqetësimin për sigurinë e nxënësve në shkolla, duke theksuar se këshilli do të vazhdojë të jetë kritik, por edhe bashkëpunues me institucionet arsimore në Prishtinë.
“Si Këshill i Prindërve në nivel të Prishtinës, kemi vërejtur se bashkëpunimi është në rritje, ashtu si edhe roli i prindërve në vendimmarrje. Megjithatë, ka ende paqartësi rreth kompetencave mes Këshillit të Prindërve dhe Këshillit Drejtues, gjë që ndonjëherë sjell keqkuptime dhe ndërhyrje në kompetencat e drejtorëve të shkollave,” ka deklaruar Hoxha.
